Nisin negociatat për Qeverinë, BDI ambicioze, “amini” tek Ahmeti?

Së shpejti dihen emrat të cilët do të kompletojnë kabinetin qeveritar

Radmila Shekerinska, Dragan Tevdovski, Oliver Spasovski, Mila Carevska, Ljupco Nikolovski, dhe Edmond Ademi, siç mëson TV21 janë pothuajse të konfirmuar për kabinetin e ardhshëm të Zoran Zaev.

Në takimin e parë si mandatar, Zoran Zaev të premten u pa me Ali Ahmetin, dhe në tavolinë do ta kenë 15 vende të reja pune në kabinetin e tij qeveritar, plus të paktën tre ministra pa resor.

Në kampin e BDI-së, TV21 mëson se ambicie për postet ministrore kanë shumë funksionarë, dhe ish funksionar qeveritar, si dhe “krahu i luftës” kërkon hisen e vet.

Siç mëson TV21, në LSDM, pothuajse e sigurt është se Radmila Shekerinska do të merr postin e ministres se mbrojtjes.

Burimet shtojnë se në sektorin e financave favorit kryesor vazhdon të jetë Dragan Tevdovski.

Oliver Spasovski, siç mëson TV21 do të drejtojë ministrinë e punëve të brendshme, Mila Carevska ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa në bujqësi Ljupco Nikolovski.

Lideri i LSDM-së, pati thënë në #ClickPlus se “Edmond Ademi do të jetë ministër” në Qeverinë e tij, ndërsa nga burimet TV21 mëson se atij mund t’i besohet ministria e kulturës.

Nga burimet brenda dy partive në koalicion, mësohet se kampi politik shqiptar do të ketë tetë, eventualisht nëntë ministri, prej të cilave dy pa resor.

Për postin e zëvendëskryeministrit për Marrëveshjen e Ohrit, burimet tona thonë se Izet Mexhiti është më i përfoluri, por nuk përjashtohet mundësia që kjo të ndryshojë, dhe atij t’i besohet ministria e ekonomisë apo ajo e transportit.

Krejt kjo meqë, burimet thonë, se kryetari i BDI-së, insiston që Mexhiti të garojë për mandatin e katërt në Çair, si “opsion i vetëm” që të mos humbet kjo komunë.

Pothuajse “ të njëjtin fat” e ndan edhe Bujar Osmani, i cili është në kombinim si për qeveri, ashtu edhe për mandatar në Çair!

Ndryshe nga të dytë, Teuta Arifi, siç mëson TV21, me gjasë do të jetë shefja e ardhshme e diplomacisë së shtetit, kurse dega e BDI-së në Tetovë mund ta kaloj Hazbi Likën si propozim të vetin për qeveri.

Arbër Ademi, Bashkim Ahmeti, janë dy emra nga përbërja aktuale qeveritare, që mund të zënë prapë ulëse në kabinetin e Zaevit. Mirëpo, asnjëri nuk e ka përkrahjen e plotë të degëve gjegjëse.

Ndërsa, kolegia e tyre, Shyrete Elezi e ka përkrahjen e degës në Gostivar.

Ende nuk dihet se kë do të kandidojë dega në Strugë, dhe a do të ketë ministër në qeverinë e re.

Nga Aleanca për Shqiptaret, flitet për dy kandidat.

Arben Taravari, siç mëson TV21, është piketuar për postin e ministrit të shëndetësisë, nëse kjo ministri i delegohet kampit shqiptar.

Vend në kabinetin e ri, pritet t’i bëhet edhe nënkryetarit të LR PDSH Agon Ferati, por, një ministri pa resor për investime.

Nga Lëvizja Besa deri tash nuk janë përfolur shumë emra, dhe nuk dihet se a do të jetë pjesë e qeverisë.

Si ide fillestare, LSDM ka “përmend” siç thonë burimet, që t’i delegojë Besës, Ministrinë e Arsimit, dhe që eventualisht kreu i kësaj partie të drejtojë këtë dikaster.

Lufte e madhe është edhe në odat ekonomike, të cilave Zaev ua ka premtuar postin e zëvendëskryeministrit për ekonomi.

Edhe pse këto oda, nuk kanë konsensus të plotë, siç mëson TV21, kandidat kryesor për këtë post duket të jetë Koço Anxhushev i cili gëzon autoritet edhe ne çarqet ndërkombëtare në vend, andaj janë të vogla gjasat që kreu i OEMVP-së, ta fitoj garën.

Sido që të jetë, deri të hënën pritet që grupet punuese të caktojnë shumëçka, para se firmat e tyre në marrëveshjen e koalicionit t’i vënë kryetarët e partive./21Media

Back to top button