Kompleksi “Qafa” do të kushtojë 1 milion euro

Kompleksi “Qafa” do të kushtojë 1 milion euro

Komuna e Prishtinës nisi punimet për rregullimin e kompleksit “Qafa”, i cili parashihet të përfundojë brenda 12 muajve dhe do pasurohet me fusha sportive dhe hapësira të shumta të gjelbërimit.

Punimet nga afër i inspektoi kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili këtë projekt e ka konsideruar si ndër projektet më të mëdha urbanistike në kryeqytet.

Sipas tij, rehabilitimi i kompleksit “Qafa” do i kushtojë komunës së Prishtinës, një milionë euro.

“Më në fund ka përfunduar procesi i tenderimit, dhe tash ky projekt i cili është përafërsisht 1 milionë euro . Do të jetë ndoshta ndër projektet më të mëdha në Prishtinë të rehabilitimit të komplet një kompleksi siç është “Qafa”, nuk ka pasur investime një kohë të gjatë , këtu ku jemi parashihen fusha sportive, të cilësisë më të lartë sikurse në Arbëri me goma, me fushë të basketbollit , pingpong. Dhe po ashtu ka këndë të lodrave më tutje po ashtu përmirësim të hapësirave pedonale, hapësirave të gjelbërimit , shtim të të gjitha hapësirave. Besoj që brenda diku rreth 12 muajve do fitoj ky projekt dhe do kemi mundësinë që banorët e “Qafës” ta gëzojnë këtë projekt”, tha Ahmeti.

Ndërsa, projektuesja e projektit për rehabilitimi të kompleksit “Qafa”, Yllkë Kosumi u shpreh e lumtur që nisi jetësimi i projektit të ideuar nga ajo, i cili do jetë në shërbim të qytetarëve të kompleksit “Qafa”.

“Sidomos kjo hapësirë do jetë normalisht të banorëve, dhe shpresoj se do u pëlqej të gjithëve, dhe kanë me u realizua punimet mirë“, tha ajo.