"As Serbia, as Lista Serbe, as Nenad Rashiqi e as LVV-ja dhe as pazarllëqet e tyre nuk do të mund të shkelin mbi ligjet e Kosovës"

“As Serbia, as Lista Serbe, as Nenad Rashiqi e as LVV-ja dhe as pazarllëqet e tyre nuk do të mund të shkelin mbi ligjet e Kosovës”

Nisma Socialdemokrate e ka pyetur Lëvizjen Vetëvendosje se cilat janë pazarllëqet e saj me Nenad Rashiqin.

Përmes një komunikate, Nisma thotë se ajo që ishte e pakuptueshme në qëndrimet e LVV-së kishte të bënte me përdorimin e termit “pazarllëqe” në këtë kontekst.

Sipas kësaj komunikate logjika e drejtimit të gishtit ndaj rivalëve politik për veprime që i bën vet, e sintetizuar në sintagmën e njohur “T’i them sa nuk më ka thënë”, doli në shesh edhe në lojën që kurdisi Serbia me pakot e mbushura me fletëvotime të falsifikuara.

“Përveç Listës Serbe, të gjitha forcat politike garuese që u prononcuan rreth këtyre “pakove-peshqesh” të ardhura nga Qeveria e Serbisë ishin kategorike që të mos pranohen dhe të konsiderohen të tilla siç janë: të paligjshme. Duke e argumentuar në mënyrë bindëse, PZAP-ja solli vendim dhe i shpalli të paligjshme. Duke parë përfitimin që mund të nxirrnin nga “peshqeshi” i Aleksandër Vuçiqit, LVV-ja u tërhoq nga qëndrimet e mëparshme, të shprehura nëpërmjet komunikatës së 13 tetorit 2019 dhe përfaqësuesve të saj në mbledhjen e KQZ-së, të datës 13 tetor 2019, dhe fletëvotimet e falsifikuara dhe të paligjshme kërkon të shpallen si të ligjshme!”, thuhet në komunikatë.

Sipas Nismës ka edhe më keq se kaq, pasi vendimin e PZAP-së, LVV-ja e quan si rezultat të pazarllëqeve dhe kërkon nga Gjykata Supreme që të legjitimojë trafikimin e procesit zgjedhor që u përpoq të bënte Qeveria e Serbisë!

“Turpi nuk ka brirë! Në rastin konkret turpi ka marrë formën e përpjekjes për t’ua mohuar të drejtën e përfaqësimit 42 mijë qytetarëve të Kosovës, për interesa të Serbisë dhe atyre që mendojnë se kjo strategji e shtetit serb çon ujë në mullirin e tyre! Ajo që ishte e pakuptueshme në qëndrimet e LVV-së kishte të bënte me përdorimin e termit “pazarllëqe” në këtë kontekst. Refuzimi i kutive me fletëvotime të falsifikuar ishte dëshmi e qartë se askush nuk kishte pranuar të hynte në “pazarllëqe” me Serbinë dhe dorën e zgjatur të saj, Listën Serbe.”, thuhet tutje në komunikatë.

Nisma shton se kërkesa e një koalicioni politik të serbëve të Kosovës që të mos pranoheshin fletëvotimet e falsifikuara ishte plotësisht e drejtë. Ajo që në shikim të parë nuk kuptohet sot është ndryshimi i qëndrimit të Nenad Rashiqit dhe ankesa e tij drejtuar Gjykatës Supreme që të konsiderohen të ligjshme fletëvotimet e falsifikuara ku koalicioni “Slloboda” nuk ka asnjë votë të vetme, sepse mbushja 100%  e këtyre fletëvotimeve fals janë për Listën Serbe, shkruhet më tej në komunikatë.

“Ky paradoks nxjerr në shesh pazarllëqet e LVV-së me Nenad Rashiqin. Cilat janë pazarllëqet e tyre nga takimet që kanë pasur do të tregojë koha. Por as Serbia, as Lista Serbe, as Nenad Rashiqi e as LVV-ja dhe as pazarllëqet e tyre nuk do të mund të shkelin mbi ligjet e Kosovës dhe nuk do të mundin ta nëpërkëmbin vullnetin politik të mbi 42 mijë qytetarëve të Kosovës!”, përfundon komunikata e Nismës Socialdemokrate.