NISMA i reagon Kociançiqit: Për Trepçën nuk diskutohet në Bruksel

“Kjo qasje cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe si e tillë nxitë konflikte të reja në Ballkan”

Nisma Socialdemokrate ka kundërshtuar fuqishëm deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijanciq për çështjen Trepçës.

Sekretari i Përgjithshëm i këtij subjekti, Bilall Sherifi, ka thënë se deklarata e Kocijançiq ka kaluar çdo kufi të asaj që një mendje e shëndoshë mund të perceptojë këto relacione.

Sherifi e ka cilësuar si absurde kërkesën e një përfaqësuese të BE-së që për resurset e veta Kosova të vendosë në tryezë të dialogut me Serbinë.

Shefi i GP të Nismës thotë se qëndrime të tilla cenojnë rëndë sovranitetin e Kosovës dhe nxjerrin në pak legjitimitetin e brishtë të institucioneve të BE-së si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë- Serbi.

“Është detyre urgjente e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës të alarmojë qarqet ndërkombëtare se kjo qasje cenon integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe si e tillë nxitë konflikte të reja në Ballkan”, ka shkruar ndër të tjera sekretari i Nismës në Facebook.

Këtë kërkesë e kanë kundërshtuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli si dhe shefi i grupit parlametar të LDK-së, Isa Mustafa.

Kuvendi i Kosovës më 3 shkurt ka miratuar statutin e Minierës së Trepçës. Dokumenti i kaluar me 80 vota pro, parashikon regjistrimin e saj si një ndërmarrje te re në përputhje me ligjin e miratuar në vitin 2016, sipas të cilit, Qeveria e Kosovës bëhet pronare me 80% të kapitalit./21Media

Back to top button