"KQZ ka pranuar gabimin"

“KQZ ka pranuar gabimin”

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka mirëpritur vendimin e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve për rinumërimin e votave në 303 vendvotime. Mirëpo ai ka thënë se ky vendim është i mirë, por i përgjysmuar sepse, siç thotë ai, duhet të bëhet rinumërimi i të gjitha kutive.

KQZ mori vendim ashtu siç kemi kërkuar ne edhe pse PZAP e ka refuzuar këtë gjë, KQZ ka pranuar gabimin, të cilat kanë prodhuar gabime në bartjen e të dhënave. Ne nuk kemi përfaqësues në KQZ por e kemi ngritur shqetësimin përmes konferencave.  Ne nuk jemi duke e kundërshtuar daljen e qytetarëve në zgjedhje, por problemet kanë filluar në momentin kur votat kanë hyrë në kuti. Në formularë është krijuar një kaos i vërtetë përmes gabimeve dhe po ashtu ka krijuar shtrembërim të rezultateve. Ne mendojmë dhe jemi të bindur që jo vetëm 303 formularë kanë gabime, por të gjitha formularët kanë gabime e që i bie që të gjitha kutitë të shkojnë në rinumërim”, ka thënë Sherifi.

Sipas rezultateve preliminare të KQz-së koalicioni Nisma-AKR-PD nuk ka arritur pragun prej 5 për qind sa kërkohet për të qenë pjesë e Kuvendit, ky koalicion ka marrë 39 mijë e 495 vota  apo 4.96%. VV ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga LDK me 24.82 për qind të votave, ndërsa PDK ka dal e treta.

Numërimi i votave të rregullta të zgjedhjeve të 6 tetorit ka përfunduar, mirëpo ende të panumëruara janë votat e diasporës të cilat janë mbi 30 mijë.

Një ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, për rinumërimin e të gjitha votave në nivel vendi. /21Media