"Koalicioni do të ketë mbi 5,5 për qind, që do të thotë se gjashtë mandate janë të sigurta"

“Koalicioni do të ketë mbi 5,5 për qind, që do të thotë se gjashtë mandate janë të sigurta”

Nisma Socialdemokrate në një konferencë për media ka shprehur besimin se do të jetë pjesë e ardhshme e Kuvendit të Kosovës me gjashtë deri në shtatë deputetë, pasi llogaritë të marrë edhe vota nga diaspora.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Bilall Sherifi, tha se pret që nga numërimi i votave nga diaspora të marrin deri në katër mijë vota, përfshirë edhe pjesën e diasporës që ka votuar për partnerin tjetër të koalicionit zgjedhor AKR, dhe me këto shifra, sipas tij, ata do të jenë pjesë e Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës.

“Sipas përllogaritjeve tona të shtabit qendror në bashkëpunim me shtabet e degëve tona, rezulton se në fund të procesit të numërimit të votave të kutive të rregullta dhe me kusht, NISMA ka të konfirmuara nga degët e veta rreth 40 mijë vota dhe pasi të përfundojë procesi i numërimit të votave me kusht dhe këtyre të rregullta, fillon procesi i  numërimit të votave nga diaspora, ku sipas kandidatëve tanë, presim të marrim 3500 deri 4000 vota. Nisma vetëm me votat e saj, pa AKR-në, sepse edhe AKR-ja sipas informatave që kanë, edhe ata kanë vota në diasporë, koalicioni do të sillet nga 44.000-45.000 vota të vlefshme. Sipas kësaj, koalicioni do të ketë mbi 5,5 për qind, që do të thotë se gjashtë mandate janë të sigurta dhe mund të luftohet edhe për mandatin e shtatë”, tha Sherifi.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme kanë ushtruar disa ankesa për mos përputhje të votave të kutive me ato të kandidatëve nga radhët e kësaj partie.

“Gjithashtu ne sot, zyra jonë ligjore ka ushtruar disa ankesa për mos përputhje të votave të kutive me ato të kandidatëve, kanë ushtruar rreth dhjetë ankesa, edhe nesër do të parashtrohen disa ankesa. Ne jemi të bindur se do të kemi gjashtë mandate të sigurta dhe ka gjasa maksimale të merret edhe mandati i shtatë”, tha Sherifi.

Sipas tij, ky rezultat është një fitore e jashtëzakonshme e Nismës Socialdemokrate, në një garë siç u shpreh, mes titanësh, ku dalja e votuesve në zgjedhje ishte mjaft masive.

“Ky rezultat dhe kjo fitore është e jashtëzakonshme e Nisma Socialdemokrate. Nëse të tjerët mund të festojnë se kanë dalë të parët apo të dytët, Nisma Socialdemokrate ka arsye të festojë se është bërë pjesë e Parlamentit dhe pashmangshëm do të jetë pjesë e qeverisë dhe numrat thonë se pa mandatet e Nismës do të jetë e vështirë kush-do-qoftë të arrijë këtë 61-in  magjik”, tha Sherifi.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Nisma Socialdemokrate, e cila në zgjedhjet e 6 tetorit hyri në koalicion me AKR-në dhe PD-në, ka marrë 4.89 për qind të votave.