Nisma në "luftë" për pragun: KQZ shpalli rezultate të fabrikuara

Nisma në “luftë” për pragun: KQZ shpalli rezultate të fabrikuara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve sipas së cilave Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve me 26.159 % të votave, ndërsa koalicioni parazgjedhor Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë, nuk e kanë kaluar pragun për tu bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë, Endrit Shala nga Nisma në një konferencë për media tha se KQZ sot shpalli rezultat të fabrikuar, të prodhuar nga ajo vet, duke numërouar vota nga pako me zarfa nga Serbia që sipas tij nuk dihet nga e kanë origjinën. “Pako të blera në Serbi. Të sjelluar nga personat e paidentifikuar”, shtoi ai.

Shala përsëriti se Nisma e ka kaluar pragun dhe se KQZ prezantoi rezultate të fabrikuara me vota të paligjshme, shkruan rtv21.tv.

Sipas tij Nisma dhe koalicioni i tyre është mbi 5%, duke kërkuar nga institucionet që ankesat e tyre t’i shqyrtojnë në mënyrë të ligjshme.

“Nisma dhe koalicioni ynë është mbi 5% me votat e rregullta dhe sipas ligjit. Askush në një vend të lirë dhe demokratik nuk duhet që me veprime të paligjshme të ju marrë të drejtën e përfaqësimit të tyre në parlament 42 mijë qytetarëve”, tha Shala.

Nisma tha se sot do t’iu drejtohet institucioneve kompetente me dokumentacione dhe prova se këto rezultate janë “të fabrikuara”.

Pas shpalljes së rezultateve partitë dhe kandidatët sërish kanë të drejtë brenda 24 orëve të ankohen në PZAP dhe Gjykatën Supreme, nëse dyshojnë se u është bërë padrejtësi./21Media