Nisma i ka bërë thirrje kryetares së KQZ-së

Nisma i ka bërë thirrje kryetares së KQZ-së

Nisma Socialdemokrate është ankuar se vëzhguesit e saj kanë vërejtur parregullsi dhe janë duke u përballur me presione nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne si parti politike, vazhdimisht jemi duke përcjellë këtë zhvillim, dhe gjatë gjithë këtyre ditëve të rinumërimin, vëzhguesit kanë vërejtur shumë parregullsi dhe janë ballafaquar me presione të ndryshime nga anëtarët e LVV-së në KQZ”, thuhet në komunikatën e Nismës.

Sipas tyre, anëtarët e VV-së po vendosin edhe cilat nga fletëvotimet janë të vlefshme dhe të pavlefshme.

“Përfaqësuesit e LVV-së në KQZ, përkatësisht znj. Nazlie Balaj dhe z. Adnan Rrustemi vazhdimisht kanë ndërhyrë në tavolinat ku po bëhet rinumërimi i votave, duke kërcënuar dhe shantazhuar stafin dhe vëzhguesit e angazhuar në QNR. Të apostrofuarve më lartë nuk ju mjafton presioni mbi punëtorët e QNR-së dhe vëzhguesit e partive tjera, ata ndërhyjnë edhe fizikisht në fletëvotime”, vijon komunikata.

Për Nismën, ndërhyrjet e vazhdueshme të Balajt dhe Rrustemit në tavolinat e rinumërimit për të dirigjuar sipas tyre se cila votë është e vlefshme apo e pavlefshme dhe presioni që po u bëhet vëzhguesve dhe stafit të QNR-së është skandaloz dhe në kundërshtim me ligjin.

“Asnjë anëtar i KQZ-së nuk ka të drejtë të ndërhyjë në tavolinat e numërimit dhe aktivisht të angazhohet në rinumërim, e aq më tepër të marrin rolin aktiv të vlerësuesit të vlefshmërisë së votave. Gjatë këtij procesi, tash e disa herë ka ndodh ky veprim nga këta anëtarë të KQZ-së. Sipas raporteve të vëzhgueseve tanë, dje gjatë ditës, znj. Nazlie Balaj dhe z. Adnan Rrustemi kanë ndërhyrë në mënyrë aktive duke kërcënuar, duke rinumëruar e duke vlerësuar vota”, thuhet në deklaratë.

Nisma deklaron se prezenca gjatë gjithë ditës apo e shpeshtë brenda ditës e anëtarëve të KQZ-së është e pazakontë dhe sjellja e tyre në QNR është e paligjshme.

“Për më tepër, shqetësues është fakti se tanimë këta dy anëtarë të KQZ-së kanë qëndrime publike antiligjore dhe kanë qenë aktiv në deformimin dhe falsifikimin e rezultatit zgjedhor”, vijon komunikata.

Nisma Socialdemokrate i ka bërë thirrje kryetares së KQZ-së që të ndalojë urgjentisht ndërhyrjen e këtyre anëtarëve të KQZ-së në procesin e rinumërimit të votave.

“Duke ditur përgjegjësitë e qarta ligjore të anëtarëve të KQZ-së që janë të parapara me ligj, ndërhyrja e çdo anëtari të KQZ-së në tavolinat e rinumërimit është presion, është intimidim, duke shfrytëzuar pozitën e tyre për të ndikuar ndaj punëtorëve të administratës, që janë përgjegjës për rinumërimin e votave, po ashtu është qëllim për të penguar vëzhguesit e partive politike për të kryer detyrën e tyre të paraparë me ligj”, përfundon komunikata e Nismës.