Pas 72 vjetësh ishulli Sazan hapet për turistët

Pas 72 vjetësh ishulli Sazan hapet për turistët

Në  Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes u nënshkrua sot Marrëveshja e Bashkëpunimit mes MZHETTS dhe Ministrisë së Mbrojtjes për lejimin e vizitave turistike në ishullin e Sazanit.

Marrëveshja që ka për qëllim zhvillimin e turizmit dhe promovimin e tij, u firmos nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.

Kjo marrëveshje do të lejojë përdorimin e ishullit për qëllime turistike nga fillimi i muajit maj deri në fund të tetorit, pikërisht gjatë kohës së sezonit veror. Për Agjencitë Turistike dhe Operatorët Turistik, ishulli i Sazanit është një atraksion turistik më shumë këtë vit.

Ishulli Sazan hapet për herë të parë pas gati 72 vjetësh, si një destinacion turistik, i hapur për turistët shqiptarë dhe të huaj. Ishulli ka një të kaluar misterioze, pasi më parë është përdorur nga sovjetikët si bazë ushtarake, ku mbaheshin dhe armë kimike.

Kjo gjë e pati bërë ishullin të pabanuar dhe me ajër të ndotur. Aty ende ka tunele dhe llogore nga koha kur ishte bazë ushtarake për t’i bërë ballë sulmeve nukleare nga Perëndimi. Në kodrat e ishullit gjenden rreth 3 mijë e 600 bunkerë, dhe për më shumë se gjysmë shekulli, Sazani ishte një ishull enigmatik./21Media