Dolli në Hardhfest

Dolli në Hardhfest

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ashtu siç nuk e kanë fshehur edhe në deklarimet publike, dallojnë në qëndrimet e tyre rreth çështjeve të rëndësishme për vendin.

Kështu kanë pasur qëndrime të ndryshme për dialogun, taksën, ndryshimin e kufijve dhe temave të tjera, por duket se sot janë pajtuar për një gjë: qe vera e Rahovecit, e cila u shërbye në “Hardh Fest”, të shijon shumë.

Madje, ata u panë duke ngritur edhe dolli bashkë me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Një shikim i shpejtë mes dy liderëve të vendit dhe një “gëzuar” ndër dhëmbë për të harruar qoftë edhe për një moment mospajtimet e tyre.

Përpos verës, kishte dhe ushqim për të ftuarit specialë të ditës së parë të “Hardh Fest”.

Për pak kohë edhe presidenti shqiptar Ilir Meta “u arratis” nga problemet dhe mospajtimet me kryeministrin e tij Edi Rama.

Në Shqipëri, së shpejti mund të krijohet një situatë e re pasi kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri, nuk pranoi të merrte detyrën pas akuzave për trafik droge, ndërsa në qytetin verior shqiptar duhet të organizohen zgjedhje të reja të cilat Meta si president duhet t’i dekretojë.

Por, Meta nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit, e për rrjedhojë as pasojat që kanë dalë nga ky proces. Ai ka një datë në mendje të cilën edhe e ka dekretuar, 13 tetorin, të cilën PS nuk e njeh.