Një fotografi e rrallë

Një fotografi e rrallë

Ndonëse dy artistet e mëdha shqiptare me famë botërore nuk gëzojnë raporte të mira shoqërore e as kolegiale, kanë lidhje të mëhershme me njëra-tjetrën. Dy familjet e tyre kanë prejardhjen nga Peja dhe njiheshin mes vete.

Kjo u dëshmua edhe sot nga një fotografi e rrallë që ka qarkulluar në rrjete sociale. Seit Lipa dhe Besim Sahatçiu ishin parë bashkë në një fotografi që ishte realizuar rreth viteve të 50-ta, transmeton rtv21.tv

Seit Lipa kishte qenë drejtor i Institutit të Historisë në Kosovë. Seit Lipa ishte lindur në vitin 1937, ndërsa kishte vdekur në vitin 1999.

Gjyshi i Rita Orës, Besim Sahatçiu kishte qenë një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite. Filmi i tij “117” kishte marrë çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978. Ai kishte vdekur në vitin 2005.

Fotografinë e publikoi edhe babai i Duas, Dukagjin Lipa.

“Babai im, Seit Lipa dhe Z.Besim Sahatçiu. Gjyshërit e Dua Lipës dhe Rita Orës duke pirë në vitet e ’60-ta në qytetin e Pejës.”, shkroi ai krahas fotografisë.

Këtë fotografi të përbashkët të tyre e komentoi edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

“Kur:1960, ku: Kosovë, kush: Seit Lipa dhe Besim Sahatçiu. A e kanë ditur ata se mbesat e tyre do të rriten dhe do të bëhen superyje. Dua Lipa dhe Rita Ora”, shkroi ajo krahas fotografisë.

Vitin e kaluar prestigjiozja “The Sun”, zbuloi arsyen pse dy artistet nuk kanë marrëdhënie të mira mes vete. U raportua se Rita dhe Dua ishin të përfshira në një grindje të fshehtë, pasi që Dua ka marrë vendin e Ritës si imazhi i firmës Adidas. Për më tepër “The Sun” shkroi se në fillimet e karrierës si këngëtare kur Dua ka bërë përpjekje që të hyjë në industri, dyshohet se u anashkalua nga motra e Ritës, Elena, e cila punon për një kompani të menaxhimit të muzikës, nga frika e vjedhjes së kurorës së Ritës./21Media