“Kosova është vendi i parë në Evropë me popullsi aktive 15 vjeçare"

“Kosova është vendi i parë në Evropë me popullsi aktive 15 vjeçare”

Në konferencën e dytë ndërkombëtare për shëndetin, mirëqenien, të drejtat dhe edukimin e fëmijëve, sot është diskutuar për mbrojtjen e fëmijëve dhe politikat hartuese për të aftësuar ata.

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi tha se ndjejnë obligim që të ofrojnë kushte të favorshme për fëmijët, në mënyrë që të kenë arsimim dhe edukim të mirëfilltë

“Pasuria më e madhe e jona janë të rinjtë tanë, për këtë e kemi obligim që t’u ofrojmë kushte dhe të rriten të shëndetshëm. I lus fëmijët që të na mbajnë gjithmonë obligues për ta. Po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të kemi politika, ne të marrim pjesë në ndërtimin më të mirë të tyre. Ku ne arrijmë që të rinjve tanë të ju ofrojmë arsimim dhe edukim të mirëfilltë dhe të bëhen qytetarë të mirëfilltë. Dhe jemi të gatshëm të marrim edhe shumë obligime për t’i ofruar kushte të rinjve tanë”, tha ai.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari tha se si institucion kanë identifikuar shumë probleme me të cilat hasen fëmijët.

“Kosova është vendi i parë në Evropë me popullsi aktive 15 vjeçare. Tani na mbetet neve se çfarë bëjmë për ta. Kemi identifikuar probleme që ka të bëjë të natyrës ekonomike dhe sociale. Institucioni i avokatit të popullit në fakt ka identifikuar shumë probleme”, tha Jashari.

Murat Sahin, shef i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se në Kosovë ka parë potencial të madh tek të rinjtë.

Sipas tij janë  disa çështje që patjetër duhet të adresohen.

“Fëmijët nuk janë të gatshëm për shkollë, dhe duhet të bëhet më shumë në këtë aspekt.

Nezahate Salihu, drejtoreshë nacionale e sos fshatrave të fëmijëve tha se janë duke punuar vazhdueshëm pa dallim për të gjithë fëmijët të cilët janë pa përkujdesje prindërore.

“Nisur nga misioni dhe veprimtaria e SOS fshatit, dhe për të siguruar mirëqenie për ta është parim për ne. Një komb vlerësohet se çfarë bën për fëmijët sot. Pasuria e një kombi nuk është në burime e tij natyrore por duke pasur fëmijë të shëndetshëm. Ne jemi duke punuar për fëmijët pa përkujdesje”, tha Salihu.

Ajo ka lutur të gjitha institucionet që të kalojnë kohë më shumë me fëmijët në mënyrë që të shohin për së afërmi nevojat e tyre.