Ligji i ri për Pagat rrëzon vendimin e kryeministrit

Ligji i ri për Pagat rrëzon vendimin e kryeministrit

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka deklaruar se me rastin e miratimit të Ligjit të ri për Pagat do të bjerë poshtë vendimi i fundit për rritjen e pagave të qeveritarëve.

Ministria e Administratës Publike është në prag të dërgimit në Qeveri të disa projektligjeve, duke përfshirë këtu edhe Ligjin e ri për Pagat, me të cilin rrëzohet vendimi i fundit për rritjen e pagave të qeveritarëve.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yagcilar, duke shtuar se të gjitha vendimet që prekin çështjen e pagave duhet të jenë në harmoni me ligjin, në të kundërtën do të anulohen.

“Janë disa vendime të ndryshme sa i përket çështjes së pagave, duke përfshirë edhe këtë të fundit për rritjen e pagave të qeveritarëve, i cili nuk është antikushtetues, por kemi vlerësuar se për këtë çështje na duhet një ligj dhe me miratimin e tij në Kuvend atëherë të gjitha vendimet tjera bien”, është shprehur Yagcilar.

Gjatë kësaj interviste ministri Yagcilar ka folur edhe për funksionimin e qeverisë “Haradinaj” dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend për udhëheqjen e bisedimeve nga presidenti Thaçi, si dhe për dëbimin nga Kosova të gjashtë “gylenistëve” nga Kosova, duke mos e vlerësuar si gabim një veprim të tillë të institucioneve kosovare, etj.