Sh.Sh dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”

Sh.Sh dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri caktimin e paraburgimit për të dyshuarin Sh.Sh nga Vushtrria, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Sh.Sh, me datë 10 dhjetor 2019, rreth orës 15:15 në Vushtrri e ka sulmuar personin zyrtar R.B, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri, në lidhje me detyrën zyrtare, konkretisht për shkak të një urdhërese, të cilën i dëmtuari në kuadër të detyrës së tij zyrtare e kishte nxjerrë ndaj të pandehurit Sh.Sh.

I dyshuari Sh.Sh fillimisht e ka ndjekur nga pas të dëmtuarin R.B, pastaj nga mbrapa e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në fytyrë dhe këmbë.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari Sh.Sh ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur me datë 12 dhjetor ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një muaji.