Fillon ndërtimi i shkollës në fshatin Vraniq

Fillon ndërtimi i shkollës në fshatin Vraniq

Në fshatin Vraniq të Komunës së Suharekës sot është vendosur gurthemeli për ndërtimin e shkollës “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërtimi i kësaj shkolle do të financohet nga Ministria e Arsimit do të kushtojë mbi 1 milion euro.

Me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e shkollës, zëvendëskryeministri në detyrë Fatmir Limaj, tha se ndjehet i lumtur që Ministria e Arsimit po investon në fshatin e dëshmorëve.

“Jemi në një fshat që e ka një histori të jashtëzakonshme, një fshat që i ka dhënë shumë Kosovës në të gjitha drejtimet. Jemi në fshatin e dëshmorëve dhe unë ndjehem i nderuar që sot po përurojmë një shkollë me emrin e dëshmorit, e cila përkujton lavdinë e gjeneratave të kësaj ane. Ministria e Arsimit vjen me investim të fuqishëm këtu, jemi ardhur me një investim mbi 1 milion euro të kësaj shkolle, që tregon se Vraniqi do ta ketë një shkollë përfundimisht një shkollë siç e meriton ky fshat, siç e meritojnë mësimdhënësit e vyeshëm të këtij vendi, nxënësit”, tha Limaj.

Ai uroi që ndërtimi i shkollës të përfundojë në afatin e paraparë, në mënyrë që nxënësit të kenë kushte sa më të mira.

Jam shumë i kënaqur, i nderuar që ne po vijmë edhe po ua kthejmë një respekt këtij katundi, këtij fshati. E di që jemi vonuar me këtë projekt, por ne kur e kemi pasur rastin e kemi bërë dhe sot kemi ardhur. Ndjehemi të nderuar që po vijmë me një ndërtesë të re, me një investim të fuqishëm, siç thash është investim mbi 1 milion euro. Shkolla e Vraniqit besoj që do të jetë një nga shkollat më të mira që do t’i ketë Kosova“, tha Limaj.

Falënderues për këtë investim u shpreh kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj. Ai tha se më në fund nxënësit e fshatit Vraniq do ta kenë një shkollë me standarde evropiane.

Unë shpreh rastin t’i uroj nxënësit e fshatit Vraniq një shkollë të re, me standarde evropiane. Zëvendëskryeministri e ceku është një investim mbi 1 milionë euro, por sot kemi investime mbi 2.5 milionë euro nga Ministria e Arsimit. Edhe një herë shpreh rastin të falënderoj Qeverinë dhe zëvendëskryeministrin për punët që janë duke i bërë në Komunën e Suharekës. Një shkollë me standarde evropiane për t’u ngritur cilësia në arsim“, deklaroi Muharremaj.

Përveç këtij fshati që do të bëhet me shkollë të re, gjatë ditës do të vihet gurthemeli edhe për ndërtimin e shkollës në Dobërdelan të Suharekës.