Një tregim suksesi i një të riu: Nga Kosova në Belgjikë!

Jo rrallë herë po dëgjojmë storie suksesi të shqiptarëve nëpër botë!

Muaj më parë si alarmante u konsiderua ikja e profesionistëve mjekësorë nga Kosova nëpër vende të ndryshme të botës, ku atje po zhvillojnë karrierën e tyre, kryesisht në Gjermani. Megjithatë edhe për profesionistë të fushave të ndryshme të cilët studimet po i kryejnë në Kosovë, synim po mbeten vendet evropiane.

Një ëndërr të tillë kishte edhe inxhinieri i ndërtimtarisë, Armend Qorri. 26 vjeçari nga Drenasi i Kosovës, kishte përfunduar studimet bachalor në Universitetin  e Prishtinës “Hasan Prishtina” Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekurës Drejtimi-Konstruktiv. Ai tani  është në prag për të marrë edhe titullin master.

Kurse tash profesionin e tij e ushtron në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel ku është i punësuar si inxhinier në një kompani belge. “Për momentin jam i angazhuar me dy pozita pune: si Assistent Property manager në “Tourelle Realty” për më shume se 160 objekte patundshmërie si dhe Construction Supervisor Engineer në hotel “Les Tourelles” që është në procesin e renovimit me lokacion në pjesën më të rëndësishme të qytetit të Brukselit, po ashtu punoj edhe si part-time Freelancer – Estimator për projekte të ndryshme në USA.”, ka treguar Qorri për rtv21.tv.

Si çdo i ri që ka synimet e veta për karrierë, edhe Qorri e shihte vetën si një inxhinier që veprimtarinë e tij do ta ushtronte në vendlindjen e tij. Megjithatë gjatë studimeve kishte ndodhur një kthesë në jetën e tij që i kishte ndryshuar mendje. “Gjate studimeve Bachalor në Universitetin e Prishtinës – FNA pata shancën të punoj në Gjermani dy vite radhazi në vitin 2014/2015 si punëtor sezonal. Ishte njëra ndër eksperiencat më të mira që kam pas në jetë sepse mu dha shanca te punoja si dhe te udhëtoja në disa pjesë të Europës në të njëjtën kohë. Aty u motivova nga rregullat e punës, nga respekti ndaj punëtorit, po ashtu edhe nga pagesat e mira. Pasi mbarova studimet beachalor u angazhova në një kompani ndërtimi në Kosove për 6 muaj ishte eksperiencë e mirë për mua mirëpo edhe përjetova shumë padrejtësi edhe parregullsi në punë prandaj vendosa të tërhiqem.”, ka treguar Armend Qorri.

Kjo përvojë e ka bërë që të reflektojë më ndryshe për karrierën e tij. Si një djalë ambicioz ai vendosi që të vazhdojë studimet master në UP megjithëse qëllimi i tij ishte që punë të gjejë jashtë Kosovës, konkretisht në Gjermani. “Në të njëjtën kohë studioja edhe punoja, ishte e vështirë mirëpo kisha motiv shumë të madh përkundër faktit që sistemi i studimeve në Kosovë më shumë të demotivon sesa të motivon. Gjatë kësaj kohe që po studioja, aplikoja tërë kohën në vende të ndryshme pune në Evropë. Planet e mija ishin të shkoja të punoja në Gjermani mirëpo kohën e kisha shumë të limituar dhe nuk kisha kohë të ndjekja kursin e gjuhës gjermane.”, ka thënë Qorri, të cilin në këtë pikë fati e hedh diku tjetër.

Synonte Gjermaninë por nuk përjashtonte edhe shtete tjera evropiane, kështu ai kishte aplikuar edhe në kompaninë e biznesmenit belg në të cilën punon tani. “Kohë me parë kisha aplikuar në kompaninë e tij mirëpo me kishte dal nga mendja. Kompania belge me kontaktoi përmes emailit dhe me kërkoi CV-në, ja dërgova dhe mbajtëm një intervistë, ai u nda tejet i kënaqur nga eksperienca ime e punës po ashtu planet e tij ishin të bashkëpunonte me Kosovën kështu që i duhej një person që flet shqip si ndërmjetësues biznesi.”, ka treguar Qorri.

Ai tutje ka rrëfyer edhe për mënyrën se si ka arritur deri atje dhe për peripecitë që ka kaluar, pra problemi me vizat. “Meqenëse në Kosovë ambasada e Belgjikës nuk lëshon viza pune, me duhej të shkoja në Sofia të aplikoja për vizë, që i bie me duhej të aplikoja për vizë të Bullgarisë që të shkoja të aplikoj për vizë pune në ambasadën e Belgjikës atje. Aplikova e mbajta intervistën në të njëjtën ditë e mora përgjigjen pozitive. Familja ime nuk dinte gjë, u ktheva në Kosovë ua komentova prindërve lajmin, për ta në të njëjtën kohë ishte moment gëzimi dhe trishtimi, ishin mësuar të më kishin gjithmonë afër përkundër faktit që i dinin pakënaqësitë e mija të jetës në Kosovë. Me 1 janar 2018 u nisa për Bruksel dhe ja ku jam tashmë këtu duke ushtruar veprimtarinë time. Planet e mija tjera janë të bëj transfer të studimeve master këtu ose të fillojë studimet master nga e para.”, ka bërë të ditur Armend Qorri.

Por përkundër zhgënjimit që ka përjetuar në vendlindjen e tij, ai ka ambicie të bëj diçka për bashkatdhetarët në Kosovë, të hap ndonjë biznes i cili do të krijonte vende pune për të rinjtë kosovarë. “Mendoj që ende është herët të marr një vendim konkret meqenëse tani jam në fazat e krijimit të karrierës sime. Mirëpo, meqenëse kam jetuar vet atje si dhe duke marrë parasysh mendimet e njerëzve të ndryshëm që jetojnë në Kosovë për momentin planet e mija janë të fokusuara në Bruksel. Planet e mija janë jo ndoshta te kthehem ne Kosove mirëpo të bëj një urë lidhëse bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Belgjikës. Të krijoj ndonjë kompani në Kosovë me bashkëpunim me shtetin e Belgjikës si dhe në të njëjtën kohë të krijoj vende pune për shtetasit e Kosovës.”, ka thënë Qorri.

Ajo çka e tërheq më shumë inxhinierin e ri që të punoj në perëndim është vlerësimi i punëtorit, rregullat në punë, profesionalizmi, afërsia me punëtoret, korrektësia në pune, sigurimet shëndetësore thuajse 100% të paguara nga firma etj. “Nëse e krahasojmë në aspektin e ndërtimit ku edhe unë jam i kyçur tashme ajo çka mendoj që e bën diferencën këtu dhe në Kosovë është siguria në punë, siç e dini dhe vet në vitin e kaluar ka pasur shumë raste të humbjes së jetës nga punëtorë në punishte të ndryshme në Kosovë që shpresoj në vitin 2019 do të bëhet diçka nga institucionet adekuate në Kosovë për të parandaluar këtë dukuri.”./21Media

Back to top button