Njohës të sigurisë e quajnë qesharake ofertën e Mogherinit

“Mogherinit dhe Bashkimit Evropian do të ishte dashur t’iu kujtohej më herët ky propozim”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vazhdon t’i qëndrojë stoikisht vendimit për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe që vijnë në Kosovë. Ai nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij as pas letrës që mori ditë më parë nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogerini, e cila kishte ofruar lëvizje të statusit nga UNMIK-u në Kosovë*. Haradinaj nuk u zmbraps as pas takimit të djeshëm që pati me delegacionin e BE-së në Bruksel. Këtë vendosmëri të kryeministrit po e arsyetojnë edhe ekspertë të fushës së sigurisë, të cilët e quajnë qesharake dhe shumë të vonuar propozimin e kryediplomates evropiane.

Njohësit e fushës së sigurisë tregojnë me çfarë kushti duhet të pranojë Qeveria ofertën e Mogherinit. Ata thonë se kjo situatë do të sjellë avantazhet e saj për Kosovën.

Eksperti i fushës së sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për KP se kjo situatë nuk është e mirë, pasi që Mogherinit dhe Bashkimit Evropian do të ishte dashur t’iu kujtohej më herët ky propozim. Madje ai thotë se për fusnotën njëherë është thënë se do të hiqet, por kjo nuk ka ndodhur, andaj fton Qeverinë të jetë konsistente në vendimet e saj. Ai thekson se në çdo marrëveshje duhet të ketë kompromise. Teksa shton se është mirë që Kosova dëshmoi se nuk e ka të rastësishme taksën 100 për qind pasi që deri më tash, është pikërisht Kosova që ka lëshuar rrugë. “Mendoj që Qeveria duhet të jetë konsistente ashtu çfarë ka bërë, ashtu sikurse që tha ministri në fjalën e vet. Normal, që këto bisedime kërkojnë pak fleksibilitet në vazhdimësi. Mirë është të bëhen kompromise, por jo kompromise të dhimbshme për Kosovën. E pamë edhe dje në Këshill të Sigurimit, që nëse ne ngulim këmbë në një formë dhe jemi konsistent në kërkesat tona mund t’ia dalim për arsye se e kemi edhe mbështetjen prej partnerëve tonë strategjik. Do të na sjellë avantazhe krejt kjo qasje e jona, edhe kërkesat por edhe qëndrueshmëria jonë”, tha ai.

Vendosja e taksës ndaj mallrave serbe, sipas tij, do të ofrojë një perspektivë tjetër edhe në dialogun me Serbinë. “Është një qasje pak më ndryshe dhe normal vet bisedimet e mëtejme duhet të ri-formatizohen në raport të marrëveshjeve, të rishikohen por, edhe do të jetë krejt një qasje ndryshe në të ardhmen rreth këtyre bisedimeve”, tha ai.

Ndërsa analisti Agon Maliqi, e quan përpjekje të fundit të BE-s për t’i dhënë shtysë idesë se taksa po e pengon dialogun, ofertën për heqjen e tarifës ndaj Serbisë, në këmbim të lëvizjes së statusit nga UNMIK-u në Kosovë*. Ai konsideron se një ofertë e tillë nga Kosova do të mund të pranohej vetëm para 5 apo 6 vitesh. “Është një përpjekje e cekët dhe e pamjaftueshme duke reflektuar natyrën e problemeve të thella që kemi me Serbinë, që Kosovës t’i ofrohet anëtarësimi në CEFTA me fusnotë në shkëmbim të heqjes së tarifës. Mendoj se është e pamjaftueshme dhe deri diku edhe qesharake. Minimumi i minimumit do të duhej të ishte reciprociteti i plot tregtar dhe ndalimi i masave aktive të Serbisë për sabotimin e shtetësisë të Kosovës. Pa këto të dyja, padyshim se nuk ka hapësirë për heqjen e tarifës”, është shprehur Maliqi.

Ndërsa Donika Emini nga QKSS thotë se kjo ofertë nuk duhet të merret në konsiderim, pasi CEFTA nuk i ka sjellë vendit tonë përfitime, pasi Moldavia me Kosovën nuk kanë marrëveshje, derisa njëkohësisht Kosova është bllokuar vazhdimisht nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Sipas saj, tarifa është shumë e madhe për të hyrë në pazar për liberalizim të vizave ose për një status prej UNMIK-ut në Kosovo*, platformë kjo e cila sipas saj, nuk po mund të kontrollohet nga BE-ja. “Vetë fakti që i kanë ofruar Kosovës të jetë aty me fusnotë, nuk duhet të jetë ndoshta çmimi me të cilën Kosova duhet ta fusë në pazar 100 përqindëshin. Taksa 100 për qind ka qenë ndoshta lëvizja më serioze që ka bërë Kosova. Është mjaft me risk, nuk janë studiuar mirë implikimet e brendshme, të cilat mund t’i ketë kjo tarifë. Mirëpo, kjo tarifë duhet të hiqet vetëm kur Kosova të rifitojë pozicionin në raport me BE-në dhe Serbinë. Dihet se BE ka pasur qasje asimetrike ndaj Kosovës, fakti që po i ofron lëvizje të statusit nga UNMIK-u në Kosovë*, tregon që janë shumë joseriozë ndaj Kosovës”, u shpreh ajo.

Emini thotë se për momentin nuk mund të ketë lëvizje të mëdha brenda BE-së pasi në maj atje mbahen zgjedhjet. Prandaj, ajo thotë se Kosova duhet të përfitojë shumë nga kjo kohë, në mënyrë që të ristrukturojë qasjen e saj ndaj BE-së dhe Serbisë ashtu që të nxjerrë benefite sa më të mëdha nga ky proces.

Back to top button