Njohësit e arsimit e konsiderojnë sfidë të madhe ndalesen për telefona në shkolla

Bytyqi ka thënë se vendimi do të hyjë në fuqi mbas datës 15 dhjetor

Sfidë e madhe po konsiderohet nga njohësit e arsimit, realizimi i vendimit të ministrit, Shyqyri Bytyqi për ndalimin e përdorimit të telefonave gjatë procesit mësimor në gjithë shkollat parauniversitare në vend. Skepticizmin më shumë e shton mungesa e hapësirave brenda shkollave që do të mundësonte dorëzimin e telefonave.

Për këto dhe shumë arsye tjera, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci ka thënë se zgjidhja ideale do të ishte nëse nxënësit do të lejohen që të bartin telefonin, mirëpo, ai të jetë i shkyçur dhe në çantë. Sipas tij, shkollat nuk kanë as kapacitete njerëzore që gjithë atyre nxënësve t’ua marrin dhe t’ua ruajnë telefonat. Ndërsa, theksoi se telefoni mund të përdoret shumë mirë dhe për qëllime mësimore.

“Numërohen në gjitha shkollat të cilat do të kenë mundësi t’ua marrin nxënësve dhe t’ia ruajnë telefonat gjatë orëve të mësimit sepse llogaritni një fluks i madh i fëmijëve, një ndërrim prej 500-600 fëmijë. Nxënësit duhet të lejohen ta bartin telefonin, por ai telefon duhet të jetë i shkyçur dhe duhet të jetë në çantë, jo të jetë në xhep dhe të jetë i lidhur në rrjetë, sepse nëse është ashtu, mundësia e përdorimit është shumë e madhe. Telefoni celular mund të shfrytëzohet shumë mirë për qëllime mësimore. Por është fakt që në shkollat tona, kryesisht shfrytëzohen si mjet për komunikim të palejuar gjatë orëve të mësimit dhe si i tillë është pengesë për zhvillimin normal të mësimit” ka thënë Pupovci.

Ndryshe nga ky zëvendësdrejtoresha e shkollës fillore në Prishtinë ‘Elena Gjika’, Agnesa Glloboderi është shprehur se ky vendim i ministrit është i domosdoshëm. Sipas saj, telefoni gjatë procesit mësimor vetëm ka shkaktuar dekoncentrim dhe pengesë.

“Është e mirëpritur shumë mirë, një mbështetje lehtësi për neve, për mësimdhënësit dhe do të jetë mësimi më kualitativ po mendoj. E dini, posaçërisht në kohën e testeve telefonat përdoren në mënyrë profesionale nga ana e fëmijëve, kështu që po mendoj që do të jetë për kualitetin e mësimdhënies më të mirë dhe mësimnxënies që të mos përdorën”, ka thënë Glloboderi.

Ndërsa, ministri i arsimit, Shyqyri Bytyqi është shprehur se këtë vendim e ka marrë pas ankesave të mëdha që ka marrë nga drejtorët e shkollave dhe vet nxënësit. Sipas tij, vendimi do të ketë ndikim pozitiv në mbarëvajtjen e procesit mësimor, sepse do të ketë më shumë koncentrim dhe vëmendje.

Ministri Bytyqi ka theksuar se implementimi i këtij procesi do të sigurohet nga mekanizmat që ministria do t’i angazhojë, siç është inspektoriati që punon në kuadër të kësaj ministrie.

Ndërsa, për masat ndëshkuese, ministri Bytyqi ka thënë se nuk do të jenë të lehta për ata që nuk e respektojnë vendimin, duke shtuar se mund t’iu konfiskohet telefoni.

“Masat ndëshkuese që mund të pasojnë, qoftë për nxënësit, ashtu dhe për mësimdhënësit, parashihet të themi për nxënësit në udhëzues që në rast se do të shkoj nxënësi me telefon në celular në shkollë, atëherë mund të konfiskohet nga ana e mësimdhënësve, apo nga ana e drejtorit, sepse drejtori do të jetë menagjuesi kryesor i këtij vendimi. Ky telefon pastaj do t’i kthehet prindit me nënshkrim të dyanshëm të kujdestarit të klasës, apo të mësimdhënësit dhe të prindërit. Ku është hera e parë që do të njoftohet prindi që iu është konfiskuar telefoni nxënësit dhe i kthehet prindit. Ndërsa nëse ndodhë herën e dytë, do të jetë i informuar paraprakisht dhe prindi, nuk do t’i kthehet, por do të kalohet si pronë shtatore”, ka thënë Bytyqi.

Ditë më parë Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka deklaruar se vendimi do të hyjë në fuqi mbas datës 15 dhjetor. Ndërsa, ka dhe vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë që kanë ndaluar përdorimin e telefonave në objekte shkollore.

Back to top button