Kushtetuesja nuk diskutoi për përgjimet, iniciativa do të shqyrtohet në muajin prill

Kushtetuesja nuk diskutoi për përgjimet, iniciativa do të shqyrtohet në muajin prill

Gjykata më e lartë shtetërore nuk diskutoi mbi atë se a është në përputhje me kushtetutën apo jo që Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim të përgjojë përmes operatorëve të telekomunikimit. Pika e parë e seancës së sotme në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesë të presidentit Nikolla Ivanovski u shty për në një nga dy seancat e ardhshme. Bëhet fjalë për iniciativën e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë  e nenit 175 të Ligjit për komunikimet elektronike, me të cilin operatorëve të telekomunikimeve u kërkohet që t’i sigurojnë “ të gjitha kushtet e nevojshme teknike që të mundësojnë përgjimin e komunikimeve në rrjetat e tyre”. Arsyeja kryesore për shtyrjen e iniciativës siç thuhet është për shkak të vëllimit të lartë të materialit. Ligj të ri dhe të përmirësuar mbi përgjimet e komunikimeve dje kërkoi edhe prokurori i përgjithshëm republikan, Marko Zvrlevski i cili tha se çdo ditë e më shumë institucionet po i keqpërdorin përgjimet. Sipas tij, me ndryshimin e ligjit është e nevojshme që të rritet edhe roli i prokurorit publik.

“Jemi dëshmitarë të zbardhjeve të keqpërdorimeve të rënda të kësaj pajisjeje nga ana e shërbimeve të zbulimit dhe përdorimit të tyre të paligjshëm, më shpesh për qëllime politike. Pikërisht ndjekja e paligjshme e komunikimeve në Republikën e Maqedonisë kontribuoi që vendi ynë të ballafaqohet me një krizë serioze shoqërore”, u shpreh Marko Zvrlevski, Prokuror Publik.

Një tjetër iniciativë për të cilën Gjykata Kushtetuese nuk është duke vepruar ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për PPS-në, që në sirtarët e kësaj gjykate qëndron për më shumë se një vit. Ish-kryetari i Kushtetueses, Trendafil Ivanovski, shpreson se tek gjyqtarët do të mbizotërojë mendimi se ligji për Prokurorinë Publike Speciale nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Me ligjin për themelimin e Prokurorisë Publike Speciale nuk cenohet Kushtetuta, dhe në fund të fundit duhet të lejohet që gjërat të rrjedhin në drejtim të daljes nga e gjithë kjo krizë që institucionet të fillojnë përsëri të funksionojnë”, u shpreh Ivanovski.

Iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë dhe lirshmërisë së nenit 175 të Ligjit për komunikime elektronike është ngritur në vitin 2015, në të njëjtën periudhë kur LSDM filloi me publikimin e bisedave të përgjuara në mënyrë ilegale. Në iniciativë është kontestuar i gjithë neni, gjegjësisht të gjitha 10 paragrafët e saj./21Media