20-vjetori i masakrës së Vushtrrisë

20-vjetori i masakrës së Vushtrrisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën e Vushtrrisë. Në 20-vjetorin e masakrës së Vushtrrisë, Haradinaj është zotuar se nuk do të lejojnë që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar.

“Në 20-vjetorin e masakrës në Vushtrri, ku u ekzekutuan brenda pak orësh dhjetëra shqiptarë dhe shumë të tjerë u plagosën, Kosova e vazhdon betejën e saj për të vërtetën. Këtë ditë, Vushtrria dhe mbarë Kosova e kanë kthyer në kujtesë institucionale, si dëshmi ndër breza se sa e vështirë ishte rruga jonë deri në liri. Shteti serb, me gjithë gjenocidin mbi shqiptarët, edhe pas dy dekadave, refuzon të pranojë të vërtetën dhe të përgjigjet për krimet e kryera. Nuk do të lejojmë që masakrat më makabre në tërë Kosovën të kalojnë pa u dënuar. Kosova nuk harron! Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve!”, ka shkruar ai në Facebook.

Më 22 maj të vitit 1999 në qytetin e Vushtrrisë ishin vrarë në mënyrën më çnjerëzore 77 persona, derisa një person tjetër ende është në listat e të zhdukurve. Të njëjtën ditë ishin plagosur shumë persona, e po ashtu nga forcat serbe ishin arrestuar edhe qindra persona, qytetarë të Vushtrrisë. Personat e vrarë dhe të masakruar nga forcat serbe ishin dërguar në varrezë masive në poligonet ushtarake Beograd, për t’u zbuluar disa vite më vonë.

Për të kujtuar këtë ngjarje, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, sot u organizua akademi përkujtimore kushtuar martirëve të rënë para 20 vjetësh./21Media