Haradinaj kujton masakrën e Belegut

Haradinaj kujton masakrën e Belegut

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke kujtuar masakrën e Belegut, është zotuar se nuk do të ndalen deri sa të gjenden eshtrat e secilit njeri të Kosovës, të vrarë në luftë. Në një postim Haradinaj ka deklaruar se e vërteta e Kosovës, janë varret masive.

“E vërteta jonë janë varret masive në tërë Kosovën. Liria e atdheut tonë mban emrin e secilit nga martirët e Belegut dhe tërë Kosovës. Duke qenë se shumica e të vrarëve në Beleg konsiderohen të zhdukur të luftës kjo masakër e ka edhe dimensionin e saj më të dhimbshëm, sepse shumica nga 46 të ekzekutuarit nuk e kanë ende një varr të shënjuar në këtë tokë, për të cilën ata janë sakrifikuar. Sot, njëzet vjet më vonë, ne e vazhdojmë betejën për zbardhjen e fatit të të gjithë martirëve dhe nuk do të ndalemi deri sa të gjenden eshtrat e secilit njeri të Kosovës, të vrarë në luftë.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Njëzet vjet më parë, forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin kryer masakër në fshatin e Belegut. Aty kishin vrarë dhe u masakruar 46 shqiptarë dhe kjo është njëra prej masakrave më të mëdha që ishte kryer nga forcat paramilitare serbe. Sot e kësaj dite, fati i shumë të pagjeturve të këtij fshati, si dhe fshatrave të tjera të Komunës së Deçanit, mbetet ende i pa zgjidhur./21Media