“Nuk duam mëshirë,por duam respekt”

Protestojnë prindërit me nevoja të veçanta

Ndoshta shiu i mbrëmshëm ua prishi atmosferën, por prindërit dhe fëmijët e tyre me nevoja të veçanta, të buzëqeshur e pritën mëngjesin e sotëm. Që tu kalojë koha sa më shpejtë, ata organizuan aktivitete të ndryshme. Thonë se nuk do ta ndërpresin protestën deri kur të përmbushen kërkesat e tyre – për trajtim më të mirë dhe ndërtimin e një qendre speciale për këta fëmijë.

“Nuk duam mëshirë. Ekzistojmë dhe do të ekzistojmë. Bota juaj është edhe bota jonë, bota jonë është edhe bota juaj. Le të bëhemi së bashku në këtë botë. Besoj se kjo ditë e bukur do të sjellë pozitivitet dhe gëzim tek të gjithë ne, te prindërit dhe veçanërisht tek fëmijët”, tha Suaret Alishan, Iniciativa “5 NË 12”.

Nga iniciativa “5 në 12”, thonë se pas protestës së parë që u mbajt para një muaji, nuk është ndryshuar asgjë. Atëherë, i vizitoi ministri teknik i punës dhe politikës sociale, Ibrahim Ibrahimi i cili u premtoi një trajtim më të mirë.

“Kërkesat, ato që i kam parë në pjesën e ndryshimeve ligjore, unë si ministër, po premtoj se do ti shqyrtojmë kërkesat, ndërsa ato që kanë të bëjnë me punën e Ministrisë së punës dhe politikës sociale, janë të pranueshme”, tha Ibrahim Ibrahimi, Ministër i punës dhe politikës sociale.

Një gjë është e sigurte, gjatë muajit të kaluar asgjë nuk është ndryshuar. Prindërit dhe fëmijët e tyre, edhe këtë të diel do të qëndrojnë në parkun Gruaja Luftëtare, ndërsa nesër do t’i marrin tendat dhe do të largohen, duke mbetur me shpresë deri në takimin e tyre të ardhshëm, në fund të muajit qershor, se ndoshta do të ketë një sinjal për zgjidhjen e nevojave të tyre.

Back to top button