Vuçiq tha se kishte disa kontakte  në ditën e operacionit

Vuçiq tha se kishte disa kontakte  në ditën e operacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë “nuk e flasin të vërtetën” kur thonë se autoritetet në Beograd kanë qenë në dijeni për operacionin e Policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe se një gjë e tillë është lehtë të verifikohet.

Vuçiq tha se kishte disa kontakte të martën – në ditën e operacionit – pas orës 11:30, porse nuk ka pasur të tilla “kur ka nisur kriza dhe kur ishte në kulm”, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ai tha se pala serbe e ka ditur nga burimet informative se po përgatitet diçka dhe se ai ka folur për këtë në publik para më shumë se dhjetë ditësh.

“I kemi njoftuar. Që nga 17 maji kemi kërkuar nga ta që të mos e bëjnë një gjë të tillë. Kur kanë thënë se iu duhet për shkak të luftës kundër korrupsionit, atëherë njerëzit tanë në Zyrën për Kosovën kanë kërkuar që të mos futen në veri, por t’iu dërgojnë thirrje (të të dyshuarve). Është e rëndësishme të shohim se kë e kanë informuar para 17 majit”, tha Vuçiq.

Më herët, zëdhënësi i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Vincenso Grasso konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe kanë qenë të njoftuara për aksionin në veri të Policisë së Kosovës që është zhvilluar më 28 maj.

Aksioni ka rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë. Operacioni policor është zhilluar në disa rajone, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj dhe Drenas. Në të njëjtën ditë, Vuçiq ka urdhëruar vendosjen e forcave serbe në gjendje gatishmërie, raporton REL