LDK nesër do të mbajë Kuvendin Zgjedhor

LDK nesër do të mbajë Kuvendin Zgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka arritur ndonjë marrëveshje për një kandidat konsensual të partisë. Kryesia e LDK-së po mban takime edhe sot, sikur gjatë gjithë javës, por që ende askush nuk ka treguar emrat e kandidatëve. Fatmir Sejdiu, i cili ka shprehur gatishmërinë e tij që të jetë në krye të partisë, thotë për KP se nuk është pjesë e konsensusit të përfolur.

Sipas Fatmir Sejdiut, delegatët e Kuvendit të LDK-së në mënyrë të lirë dhe demokratike duhet të zgjedhin kryetarin e partisë, dhe në asnjë mënyrë këtij organi mos t’i imponohet asnjë kandidaturë.

I pashë raportimet në media. Jo, unë nuk jam pjesë e këtij konsensusi të përfolur. Qëndrimet e mia lidhur me kandidaturën time i kam shprehur edhe publikisht dhe për këtë e kam njoftuar edhe kryetarin actual të LDK-së z.Mustafa në takimin e djeshëm dhe kryesinë qendrore nëpërmes tij. Është e ditur që delegatët e Kuvendit si organi më i lartë i LDK-së, duhet të zgjedhin kryetarin e LDK-së, në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe këtij organi nuk do të duhej t’i servohet e as imponohet asnjë kandidaturë”, thotë Sejdiu.

LDK nesër do të mbajë Kuvendin Zgjedhor, ku pritet të zgjidhet kryetari i partisë dhe Këshilli i Përgjithshëm.

Përveç që janë përmendur emra të mundshëm për të kryesuar këtë parti, edhe është përfolur për një kandidat konsensual që të drejtojë LDK-në.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë, tha se pa LDK-në nuk ka as zgjedhje e as zgjidhje për situatën politike në vend.

Tha se po punojnë për mobilizimin e delegatëve të partisë, ku siç tha ai 355 delegatë tashmë veç se kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Ai tha se LDK për 514 vota elektorale, ka një kandidatë, gjë që sipas tij, bënë që në këtë subjekt të ketë përfaqësim më të madh sesa në subjektet tjera.

Në Kuvendin e nesërm të LDK-së, parti kjo që deri tani është udhëhequr nga Isa Mustafa, pritet të marrin pjesë 355 delegatë nga 38 degë.