Ai tha se do të ngrejë akuza për rrëmbim dhe tentim vrasje

Ai tha se do të ngrejë akuza për rrëmbim dhe tentim vrasje

Të paktën 11 njerëz janë arrestuar në Meksikë pasi morën kryetarin e fshatit të tyre me dhunë nga zyra, e lidhën në kamionçinë dhe e tërhoqën zvarrë në rrugë.

Policia ndërhyri për të liruar kryetarin Jorge Luis Escandon Hernandez, i cili raportohet se nuk pësoi lëndime të mëdha.

Kjo është hera e dytë që ai sulmohet nga fermerët, që i kërkuan të përmbushë premtimin elektoral për rregullimin e një rruge në zonë.

Kryetarët e bashkive dhe politikanët lokal në Meksikë shpesh janë në shënjestër të bandave të drogës kur refuzojnë të bashkëpunojnë me skemat e tyre kriminale. Por, ndodh rrallë që të sulmohen për premtimet e tyre gjatë fushatës.

Escandon tha se do të ngrejë akuza për rrëmbim dhe tentim vrasje.

Videoja e filmuar nga kalimtarët jashtë zyrës së kryetarit të komunës tregon një grup burrash, duke e tërhequr nga ndërtesa dhe duke e lidhur në pjesën e pasme të automjetit.

Më pas shihet duke u tërhequr zvarrë në rrugë, lidhur me një litar rreth duarve në pjesën e pasme të kamionit nëpër rrugët e Santa Rita, raporton oranews.