PDK, LDK dhe AAK, nuk po mohojnë përfshirjen e individëve me aktakuza

PDK, LDK dhe AAK, nuk po mohojnë përfshirjen e individëve me aktakuza

Në prag të zgjedhjeve të reja që do të mbahen me 6 tetor, partitë politike në Kosovë kanë filluar të shpalosin prioritet e tyre qeverisëse.

Njëra ndër to është edhe luftimi i korrupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuar. Por, kjo siç duket nuk pritët të reflektojë në listat e tyre për deputetë që do t’ia prezantojnë qytetarëve për t’i votuar. Pjesë e kandidatëve për përfaqësues të popullit pritët të jenë edhe persona me aktakuza.

Në tri partitë politike në vend, PDK, LDK dhe AAK, nuk po mohohet përfshirja e individëve me aktakuza në listat e deputetëve. Ndërkaq, nga njohësit e sistemit të drejtësisë mospërfshirja e personave me aktakuza në listat e deputetëve, nga ana e partive politike po shihet si sfidë e madhe.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj nuk e mohon që pjesë e listës së tyre mund të ketë persona me aktakuza, teksa thotë se hyrja ose mos hyrja në listë është punë e vullnetit individual dhe kryetarit të partisë.

Hyrja dhe mos hyrja e njerëzve në listë është punë e vullnetit individual. Prandaj unë nuk mund të paragjykoj kush mund të hyjë ose mos të hyjë në listë se është një lloj kombinimi i vullnetit të kryetarit edhe vullnetit individual të një kandidati që mund të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Qëndrim të njëjtë ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi, Besian Mustafa i pyetur se a do të jetë në listën e LDK-së për deputet anëtari i kryesisë, Naser Osmani, nuk e mohoi e as pohoi përfshirjen e këtij të fundit në listën e Lidhjes Demokratike.

Nuk do të diskutoj emra të përveçëm. Thash edhe një herë që jemi në fazën duke pranuar propozimet nga degët e LDK-së edhe gjatë javës do të përpilojmë listën finale”, tha Mustafa.

Ndërsa nga ana e AAK-së, nënkryetari Ahmet Isufi deklaron se politika nuk duhet të përzihet në sistemin e drejtësisë dhe se beson në prezumimin e pafajësisë. Për këtë arsye, sipas tij nuk duhet të paragjykohet dhe në të njëjtën mënyrë, mos t’i lejohet personave të caktuar të jenë pjesë e listave të partive për deputetë.

“Ata që kanë instaluar korrupsionin edhe krimin e organizuar nuk mund të luftojnë. Mundet tjetër kush të thirret, por jo të njëjtit. Njëkohësisht mund të them që nuk duhet të përzihet politika me drejtësinë, secili e ka segmentin e vet. Kushtetuta prezumimin pafajësisë e ka në përbërjen e saj, prandaj askush nuk ka të drejt t’i shpall njerëzit e fajshëm, ose të pafajshëm deri sa janë në pjesën politike…ne nuk paragjykojmë asgjë, për arsye se i lejojmë segmentet të caktuara të bëjnë veprimin e vet. Prandaj nuk duhet të bëhet veprime që dëmtojnë imazhin ose personalitetin e dikujt”, tha Isufi për KP.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaron se partitë politike funksionojnë mbi bazën e asaj që kanë interes për një kandidat, qoftë edhe me të kaluar kriminale për të sjellë vota në parti. Për këtë arsye ai e sheh si vështirë të mundshme që në listat e partive politike për deputetë nuk do të ketë persona me aktakuza.

Do të jetë një sfidë jashtëzakonisht e madhe për partitë politike që në një mënyrë të injorojnë këtë praktikë të udhëhequr deri më tani. Sikurse që është obligim parësor, është fundamentale që partitë politike në asnjë rrethanë të mos propozojnë njerëz me aktakuza në lista për deputet, por edhe në kohën kur mund të kemi një Qeveri…partitë politike funksionojnë mbi bazën e asaj që më shumë kanë interes për një kandidatë qoftë me të kaluarën kriminale, qoftë një kandidat që figura e tyre është e dëmtuar shumë për shkak të kaluarës së tij me aktakuza, skandale. Ndërsa fatkeqësisht të njëjtin kandidat në teren kanë vota dhe partitë politike i shohin si aset për të sjell vota”, pohon Miftaraj.

E, dje kryetari i PDK-së Kadri Veseli u propozoi partive politike të nënshkruajnë “Paktin kundër korrupsionit” i cili përmban 10 pika, e njëra ndër to është mos përfshirja e personave të akuzuar në lista për deputetë.

Ndryshe, pak ditë më parë shtetet e Quintit që e përbëjnë pesë shtete mike të Kosovës, i bën thirrje partive politike që mos të përfshijnë në listat e tyre persona me të kaluar kriminale dhe aktakuza.