Haradinaj e Ahmeti deklarohen pas nënshkrimit të marrëveshjes

Haradinaj e Ahmeti deklarohen pas nënshkrimit të marrëveshjes

PSD dhe AAK sot nënshkruan marrëveshjen për koalicion parazgjedhor. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, liderët e dy partive treguan pak a shumë programin e koalicionit, por sipas tyre, në detaje do të bëhet i ditur gjatë ditëve në vijim.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pas nënshkrimit të marrëveshjes tha se nuk synohet të krijohet një PAN i ri.

“Jemi të hapur për bashkëpunim, nuk synojmë PAN 2 apo PAN 3, nuk jemi pjesë e skenarëve për PAN të ri. Jemi që subjektet tjera t’i dëgjojmë, nuk po presim prej askujt, po e presim boshtin e fitores, shpresë për qytetarët e vendit”, tha Haradinaj.

Sipas tij, ky koalicion nuk është kundër dikujt, por është koalicion i shpresës për Kosovën.

Në lidhje me akuzat që PSD ia ka bërë dikur qeverisë së Haradinajt, duke e quajtur si “Qeveria e haraçit”, Ahmeti tha i kemi kritikuar për shkak të koalicionit PAN, por sipas tij, ka diçka që i lidh ata, sovraniteti i Kosovës dhe pozicioni i Kosovës në dialog.

“Ka kaluar shumë kohë nga ato deklarata, po të pajtoheshim në çdo pikë do të ishim në një subjekt”, tha Ahmeti.

Në anën tjetër, Shpend Ahmeti mohoi se do të kenë pak kandidatë në listën për deputetë, por theksoi se në këtë listë ka vend edhe për AKR-në dhe Nismën.

Në këtë koalicion, dy partitë janë dakorduar që bartës i listës të jetë kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, gjersa Ahmeti tha se nga ana e PSD-së nuk ka pasur pretendent për postin e kryeministrit./21Media