Nuk votohet vendimi qeveritar për privatizimin e Telekomit

Mbledhja e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e Telekomit

Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk votoi vendimin e Qeverisë, me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”.

Nënkryetari i Komisionit, Dardan Sejdiu, kërkoi heqjen nga rendi i ditës të kësaj pike me arsyetimin se ende nuk ka përfunduar raporti hetues për Telekomin.

“Të shohim raportin përfundimtar hetimor nga Komisioni parlamentar për Telekomin, pastaj të shohim. Përndryshe, unë nuk marr pjesë në votim”, deklaroi Sejdiu.

Anëtari tjetër i komisionit, Memli Krasniqi u shpreh kundër heqjes së kësaj pike nga rendi i ditës, por shtoi se nëse nuk merr pjesë deputeti Sejdiu në votim, atëherë nuk ka zgjidhje tjetër.

“Nuk duhet me lënë në gjendje aq të keqe në të cilën është Telekomi. Vetëm privatizimi e kishte shpëtuar Telekomin. Mendoj se duhet votohet ky vendim, s’e edhe ashtu i gjithë procesi i privatizimit nuk mund të ndodhë para dy vjetësh. Nëse nuk merr pjesë Dardan Sejdiu, propozoj mos me e qitë në rend dite, kështu që vetëm bartet nga mbledhja në mbledhje”, tha Krasniqi.

Komisioni me shumicë votash miratoi kërkesën e Sejdiut për heqjen nga rendi i ditës së vendimit qeveritar për privatizimin e Telekomit.

Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik sot shqyrtoi dhe miratoi raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM për vitin 2018, për të cilin raportoi Musa Shabani, kryetar i Bordit i KPMM-së. Po ashtu, komisioni miratoi edhe Raportin e Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2017.

Back to top button