Fillimisht bëhet vlerësimi i tyre

Fillimisht bëhet vlerësimi i tyre

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë mbledhje sot nga ora 11:30 pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme që e detyron KQZ-në të numërojë 4 mijë e 639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

Zëdhënësin i KQZ-së, Valmir Elezi ka qartësuar se proceduralisht numërimi i këtyre fletëvotimeve nuk mund të fillojë gjatë ditës së sotme.

Ai ka thënë se fillimisht duhet të bëhet vlerësimi i tyre, proces i cili mund të zgjasë së paku dy ditë.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dimë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm”, tha Elezi për kp.

Ai shtoi se pasi të bëhet ky vlerësim do të dihet saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara dhe se vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen.