Nunes tërhiqet nga pozita

Ai është larguar nga pozita e shefit të panelit për hetimet për Rusinë

Shefi i Komitetit për çështje të inteligjencës të Dhomës Përfaqësuese të SHBA-ve, David Nunes është tërhequr përkohësisht nga pozita e shefit të panelit për hetimet për Rusinë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Nunes, sipas të cilit arsyet e tërheqjes janë akuzat “plotësisht të rreme”, të cilat janë ngritur kundër tij para Zyrës për etikë të Kongresit.

Ai në kumtesën lidhur me vendimin theksoi se dëshiron që sa më parë të bisedojë me Zyrën për etikë të Kongresit, në mënyrë që “të përshpejtojë largimin e këtyre akuzave të rreme”.

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Pol Rajan javën e kaluar deklaroi se ka informacione të reja për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA.

Ai në një intervistë për CBS tha se Nunes i kishte deklaruar se informatat e reja i kishte marrë nga “alarmuesit”.

Rajan tha se ai vetë nuk i ka parë dokumentet e reja, por pret që ato t’i sigurohen Kongresit.

I pyetur nëse presidenti amerikan është nën hetime, Rajan nuk ka dashur të flasë në emër të FBI-së.

Nunes është takuar me një burim sekret në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar për të shikuar materialin e besueshëm, për të cilin siç thotë ai, përmban fakte se shërbimet e huaja “rastësisht” kanë incizuar bashkëpunëtorët e Trump duke komunikuar me rusët.

Back to top button