Droga po përdoret me të madhe në Kosovë

Droga po përdoret me të madhe në Kosovë

Marihuana mbetet substanca më e kërkuar nga të rinjtë. Brenda një periudhe tetë mujore Policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të marihuanës brenda objekteve shkollore.

Nxënësit janë përdoruesit më të mëdhenj të drogave dhe ata të moshës nën 16 vjeç. Vetëm brenda tetë muajsh janë arrestuar 152 nxënës të shkollave të mesme në tërë vendin.

Policia në këto aksione që ka ndërmarrë në shkolla dhe në afërsi të tyre ka konfiskuar edhe një sasi të konsiderueshme të drogës. “Gjatë kësaj periudhe gjithsej janë konfiskuar 63 gramë marihuanë brenda objektit, 97 gramë marihuanë në oborr te shkollës dhe 4 kilogramë e 50 gramë marihuanë ne afërsi të shkollave. Në kuadër të planit operativ ( lokacione tjera)  dhe në perimetrin e sigurisë 350 metrapor që nuk kanë të bëjnë me shkollat janë konfiskuar, 12 kilogramë e 230 gramë marihuanë në perimetër 350 metra, 24 kilogramëg 775 gramë mariuhanë në kuadër të Planit Operativ”, bëhet e ditur në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Kp.

Ajo që mbetet shqetësuese është mosha e përdoruesve të këtyre drogave që kryesisht janë të rinj.

Safet Blakaj udhëheq Qendrën Mediko-Psikoterapeutike “Labirint” e cila merret me rehabilitimin e përdoruesve të narkotikëve. Sipas tij, vitin e fundit mosha mesatare e përdoruesve të narkotikëve ka rënë në 16 vjet për dallim që para disa vitesh ka qenë 21 vjeç.

Ai tregoi edhe për llojet e substancave narkotike që përdoren më shumë nga të rinjtë. Sipas tij, ka rënie të përdorimit të heroinës duke e cilësuar këtë si diçka të mirë, ndërkohë që thotë se është brengosëse rritja e përdorimit të kokainës, veçmas në kryeqytet.

Për përmirësimin e gjendjes defektologu Blakaj rekomandoi që institucionet e vendit të punojnë më shumë me programe parandaluese.

Dukuri shqetësuese përdorimin e drogës nga të rinjtë e konsideron Avokati i Popullit. Zëvendësja Avokatit të Popullit, Edona Hajrullahu tha se në raportin që ata e kanë publikuar flitet edhe për moshë më të re se 16 vjeç, kur të rinjtë fillojnë përdorimin e substancave narkotike.

Edhe institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri për të parandaluar këtë dukuri negative. Ditë me parë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është takuar me përfaqësuesit kryesor të institucionet e sigurisë duke kërkuar angazhim shtesë për luftimin e narkotikëve në shkolla.

Haradinaj është shprehur i përkushtuar që të rrisin luftën kundër dukurive negative, me theks të veçantë luftën kundër narkotikëve në shkolla dhe afër tyre.