Iniciativa për të pasuruar bibliotekën e shkollës së tyre

Iniciativa për të pasuruar bibliotekën e shkollës së tyre

Nxënësit e shkollës “Thimi Mitko” në Gjilan kanë dhuruar libra për bibliotekën e kësaj shkolle me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, për të krijuar kështu kulturën e leximit, ruajtjes dhe pasurimit në rrafshin e leximit dhe librit në përgjithësi.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vlerësuar lart dhurimin e këtyre librave nga ana e nxënësve, shembull ky i cili tha se duhet të ndiqet edhe nga të gjithë fëmijët e tjerë të Gjilanit. Ai ka kërkuar më tepër përkushtim në promovimin e vlerës së librit dhe leximit në përgjithësi, që nga mosha e hershme nga niveli fillor e tutje.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Sevdije Sadiku,  ka theksuar se nxënësit, përpos sukseseve që kanë, po dëshmohen se janë të përkushtuar për kujdesin ndaj shkollës dhe librave në përgjithësi.

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Librit, e cila origjinën e idesë së përkujtimit të kësaj dite e ka në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. 23 prilli është shpallur si Ditë Botërore e Librit që nga 15 nëntori i vitit 1995. Këtë vit kjo ditë shënohet edhe në Kosovë në bashkëpunimin e organizatave të shoqërisë civile që mbështesin kulturën. /21Media