MAShT kërkon nga institucionet arsimore të kenë kujdes për fëmijët

MAShT kërkon nga institucionet arsimore të kenë kujdes për fëmijët

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka kërkuar nga drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), që të mbikëqyrin situatën në komunat e tyre rreth epidemisë së gripit sezonal përmes përgjegjësve të institucioneve parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private).

Këtë kërkesë, MAShT e ka bërë duke u bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për situatën aktuale epidemiologjike të gripit sezonal.

Në kërkesën që iu është drejtuar DKA-ve, MAShT ka kërkuar nga përgjegjësit e të gjitha institucioneve arsimore që fëmijët dhe nxënësit që kanë shenja dhe simptoma të gripit (temperaturë të lartë, lodhje, rrjedhje hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku dhe muskujsh), t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës-SHSKUK sot ka njoftuar se edhe një person ka vdekur me influencë A, ku pacienti ka pasur sëmundje kronike përcjellëse.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situates epidemiologjike në raportin e 21 shkurtit ka konstatuar intensitet konstant të rasteve të gripit sezonal. Nga 1 tetori deri më 20 shkurt 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 44.705 raste të dyshimta në grip, 4177 raste me Infeksion Respirator Akut dhe 84 raste SARI (Sëmundje e Rënde Respiratore Akute). Ndërkohë, më 15 shkurt është raportuar se katër persona kanë vdekur nga gripi sezonal në Kosovë.