OAK e shqetësuar për barrierat e bizneseve transportuese

“Barrierat që po iu bëhen bizneseve transportuese të Kosovës po e vështirësojnë operimin e tyre”

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka shprehur shqetësimin e saj për barrierat që po iu krijohen bizneseve transportuese të Kosovës nga autoritetet shqiptare në lidhje me tahografin.

Në një komunikatë për media, OAK njofton se ka pranuar një ankesë nga anëtari i saj biznesi RONEX, i cili është gjobitur me 100.000 lekë apo 800 euro për tahograf të kamionit, edhe pse autoritetet shqiptare janë të informuara që Kosova dhe operatorët  transportues kosovarë nuk kanë mundësi të pajisen me kartelë digjitale për shoferët profesionistë pasi vendi ynë nuk është pjesë e organizatës botërore të transportit TIR.

OAK përkujton se me protokoll të mirëbesimit bizneset e Kosovës janë të liruara nga një kërkesë e tillë në Shqipëri dhe disa vende të rajonit.

Për më tepër, Oda e Afarizmit të Kosovës thotë se ky nuk është rasti i fundit ku kompanitë gjobiten nga autoritetet shqiptare që transportojnë mallra nga Porti i Durrësit dhe një barrierë tjetër është edhe kufizimi që u bëhet për faktin se në rezervuarët e kamionëve duhet të kenë vetëm 200 litra derivate në momentin që ata hyjnë në Shqipëri.

Bizneset pohojnë se asnjë praktikë ndërkombëtare dhe rajonale nuk e ndalon që mos të ketë derivate në rezervuarin e kamionit me sasinë që e lejon prodhuesi, sasi kjo që varion nga 400 deri 800 litra.

Në këtë rast kamionët nga Kosova nuk guxojnë që në rezervuarët e tyre të kenë sasi derivati mbi 200 litra, pasi përndryshe do të gjobiten dhe iu konfiskohen patentë-shoferët vozitësve.

OAK konsideron se barrierat që po iu bëhen bizneseve transportuese të Kosovës po e vështirësojnë operimin e tyre dhe me këtë rast iu bën thirrje autoriteteve shqiptare të kenë parasysh marrëveshjet paraprake dhe marrëveshjet Kosovë-Shqipëri, në mënyrë që ato të mos mbesin vetëm në letër, por të gjejnë zbatim praktik, në mënyrë që barrierat e panevojshme që po iu krijohen bizneseve të tejkalohen.

Në lidhje me këtë rast OAK i është drejtuar me një letër Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë.

Back to top button