U theksua se aktivitetet e tilla janë të nevojshme dhe kontribuojnë pozitivisht në zhvillim të bizneseve

U theksua se aktivitetet e tilla janë të nevojshme dhe kontribuojnë pozitivisht në zhvillim të bizneseve

Aktivitetin më të ri Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) e filloi në Radavc të Pejës me bizneset e këtij regjioni, ku qëllim kryesor ishte rrjetizimi i bizneseve dhe informimi lidhur me propozimet që OAK ka përgatitur për Qeverinë e ardhshme.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi tha se ky është takimi i parë i këtij lloji e që do të vazhdojë javëve në vijim edhe në regjionet tjera të Kosovës.

Sipas Krasniqit, Oda e Afarizmit të Kosovës është e interesuar që t’u qëndrojë afër bizneseve në tejkalim të sfidave, andaj përmes takimeve të tilla vazhdimisht informohen për së afërmi me sfidat në mënyrë që të identifikojnë alternativat për zgjidhje.

Kryetari Krasniqi fillimisht shpalosi para të pranishmëve propozimet që OAK i ka përgatitur për Qeverinë e ardhshme, e ku ndër të tjera u theksua edhe nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së dhe CEFTA pa mbrojtje të asnjë produkti vendor, e që konsiderohet që vetëm po favorizojnë importin dhe jo prodhimin vendor.

Disa nga problemet që janë theksuar gjatë këtij takimi ishin Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, problemet e sektorit të Minierave dhe Mineraleve dhe mungesa e ofertave për biznese.

Bizneset përgëzuan OAK-un për një organizim të tillë, duke theksuar që këto aktivitete janë të nevojshme dhe kontribuojnë pozitivisht në zhvillim të bizneseve, pasi që njohja me biznese të sektorëve të ndryshëm mund të sjellë edhe bashkëpunime të reja potenciale ndërmjet tyre.

Gjatë këtij aktiviteti bizneset patën rastin që të prezantojnë problemet dhe idetë e tyre ashtu që bashkërisht të shtyhen para këto kërkesa.

Ndër çështje të theksuara nga bizneset ishin ndikimi i taksës 100% te bizneset vendore, rëndësia e aftësimit profesional dhe hapja e vendeve të reja të punës, lirimi i lëndës së parë, problemet me ATK dhe Dogana.

“Kafja e Mëngjesit” rrugëtimin e saj do ta vazhdojë me bizneset e rajonit të Prizrenit.