OAK i prezantoi Veselit sfidat e të bërit biznes në Kosovë

Veseli propozoi mbajtjen e një takimi për të diskutuar më gjerësisht për infrastrukturën ligjore dhe problemet e tjera të bizneseve

Sfidat e të bërit biznes në Kosovë, infrastruktura ligjore, mungesa e energjisë elektrike dhe shumë çështje tjera të ngjashme, të cilat preokupojnë bizneset kosovare, ishin qëllimi i takimit të delegacionit të Odës së Afarizmti të Kosovës me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi prezantoi para Veselit sfidat e të bërit biznes në Kosovë, ku klima e të bërit biznes sipas tij, po vazhdon të jetë e rëndë.

“Sipas analizave që kemi bërë në Odën e Afarizmit të Kosovës, nëse krahasohemi me Maqedoninë, me popullsi të njëjtë ne kemi mbi 50 përqind më pak të punësuar, ku Maqedonia ka mbi 700 mijë të punësuar”, tha  Krasniqi.

Ndër të tjera, ai përmendi se mungojnë oferta për investitorët, mungojnë zonat industriale në vend ku në mesin e dhjetëra zonave industriale vetëm një është funksionale deri në një masë dhe shumë probleme të tjera.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mirëpriti këtë takim dhe propozoi mbajtjen e një takimi më të detajuar në janar të vitit 2019 për të diskutuar më gjerësisht për infrastrukturën ligjore dhe problemet e tjera të bizneseve të propozuara nga OAK.

Gjatë këtij takimi anëtari i bordit të OAK-ut, Hamdi Malushaj theksoi si çështje infrastrukturën ligjore ku udhëzimet administrative nuk janë konform ligjeve dhe kjo paraqet pengesë mjaft të madhe për të bërë biznes.

Në anën tjetër, edhe pronarja e Kopshtit Bardha, Gëzime Rexhepi Çollaku konsideroi sfidë të madhe pagesat e pushimeve të lehonisë dhe kërkoi nga Veseli që ta kenë prioritet këtë çështje dhe barra e lehonisë të largohet nga biznesi.

Back to top button