OAK kërkon krijimin urgjent të gjykatës ekonomike

Haxhiu: Themelimi i Gjykatës Ekonomike kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo do të trajtohet me prioritet

Mungesa e Gjykatës Ekonomike dhe problemet me përmbaruesit ishin ndër temat kryesore të diskutimit ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, uroi ministren Hoxha për pozitën dhe shprehu bindjen se së bashku mund të ndikohet në përmirësimin e klimës të të bërit biznes në vend.

Krasniqi theksoi se një nga problemet kryesore me të cilat bizneset përballen është mungesa e Gjykatës Ekonomike, e cila po ndikon në zvarritjen e lëndëve dhe pengon ardhjen e investitorëve të huaj, andaj OAK konsideron që aktivizimi i saj është i domosdoshëm.

Anëtari i bordit të OAK Hysni Zogaj theksoi mungesën e gjyqtarëve të specializuar, ndërsa anëtari tjetër i bordit Diamant Elshani u fokusua te rritja e efikasitetit të përmbaruesve. Përfaqësuesi i biznesit anëtar Kosmonte Foods, Edon Bibaj, veçoi vonesat në trajtim të lëndëve dhe kërkoi që të bëhet përshpejtimi i procedurave.

Ministrja Haxhiu tha se themelimi i Gjykatës Ekonomike është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo do të trajtohet me prioritet, ndërsa sekretari i përgjithshëm i MD-së Qemajl Marmullakaj tha se të gjithë akterët janë të pajtimit për krijim të Gjykatës Ekonomike dhe se shumë shpejt koncept- dokumenti do të shkojë për miratim.

Në fund të këtij takimi palët u pajtuan që të bashkëpunojnë në favor të trajtimit të sfidave të bizneseve.

Back to top button