Sërish pengohet eksporti i rasadit të peshkut

Sërish pengohet eksporti i rasadit të peshkut

Oda e Afarizmit të Kosovës ka shpehur shqetësimin e saj që prapë po pengohet eksporti i rasadit të peshkut me origjinë nga Kosova në Maqedoninë e Veriut.

OAK kërkon nga ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, që urgjentisht ta zgjidhë këtë problem.

OAK thotë se edhe pse vendimi i datës 01.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova, është shfuqizuar gjatë muajit që lamë pas, eksporti përsëri po pengohet.

Ndryshimi i ligjit dhe procedurave nga ana e Maqedonisë së Veriut po bëhet një pengesë shumë e madhe jo vetëm për bizneset tona por edhe për bizneset e Maqedonisë të cilat furnizohen nga Kosova. Në lidhje me këtë OAK ka kontaktuar me biznesin Trofta dhe me biznesin Fresh Fish nga Gostivari, i cili ka theksuar që me ndryshimet e fundit që janë bërë bizneset, nuk kanë qenë të informuara paraprakisht duke u krijuar kështu një barrierë shumë e madhe për bashkëpunim. OAK kërkon nga Ministri Shala që të ndërmarr masa urgjente në reciprocitet deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje”, thuhet në komunikatën e OAK.

Kujtojmë se Shala në muajin gusht kishte marrë vendim që t’i vendos masa reciproke produkteve të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim i tij erdhi pasi produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq më 5 shtator ministri nëpërmjet një shkrimi në Facebook ka njoftuar se ka marr vendim që të suspendoj masat reciproke ndaj shtetit fqinj. Edhe ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, në konferencën për media ai kishte bërë të ditur se me Republikën e Kosovës kanë gjetur zgjedhje dhe masat janë tërhequr. Ai shtoi se Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim që të lejojë importin e ikrës dhe peshkut në Maqedoninë e Veriut./21Media