OAK kërkon nga Limaj përkrahje për zhvillim

“Kosova duhet të krijojë një strategji të sofistikuar përmes së cilës do të mundësohet zhvillimi ekonomik i vendit”

Problemet e të bërit biznes në Kosovë dhe identifikimi i mundësive për përmirësim të tyre ishin temat kryesore të diskutuara gjatë takimit të përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj.

Mungesa e ofertave për tërheqje të bizneseve në Kosovë dhe mungesa e strategjisë po bëjnë që bizneset të largohen nga Kosova tha ndër të tjera kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi. Ai gjithashtu shtoi që Kosova ka nevojë që disa ligje të përmirësohen duke krijuar ligje të reja, ndërsa një pjesë tjetër të funsionalizohen sepse ligjet ekzistuese po bëjnë që bizneset të ngulfaten.

Një ndër kërkesat kryesore të OAK-së ishte rregullimi i ligjit të punës, më saktësisht neni 49 i cili rregullon pushimin e lehonisë e që momentalisht po obligon bizneset të paguaj dy punëtore për të njëjtën punë ndërsa barra e shtetit në pagesë të kësaj page është minimale në krahasim me atë të biznesit. Krasniqi shtoi që OAK propozon që kjo pagesë të bëhet plotësisht nga shteti.

OAK kërkoi që nga 1 janari 2019, TVSH-ja , tatimi në qira, tatimi në fitim dhe tatimi nga bujqët të paguhen në inkasim si një lehtësim në përmirësimin e të bërit biznes në Kosovë.

Çështja e ekonomisë informale u theksua nga anëtari i bordit Hysni Zogaj sipas të cilit zgjidhja më e mirë për këtë problem është krijimi i një afati amnisite për bizneset në mënyrë që të kenë mundësi t’i legalizojnë stoqet dhe pastaj të vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë legale.

Limaj tha që Kosova duhet të krijojë një strategji të sofistikuar përmes së cilës do të mundësohet zhvillimi ekonomik i vendit. Ai shtoi që është më se i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet shtetit dhe bizneseve, në mënyrë që secili të realizoj pjesën e tij dhe të arrihen përmirësimet e dëshirueshme për vendin tonë. Sipas tij problemi kryesorë tek ligjet në Kosovë është se një pjesë shumë e madhe janë miratuar pa u lexuar fare.

Back to top button