MASHT-i fton OAK-un të bëhet pjesë e kampanjës

MASHT-i fton OAK-un të bëhet pjesë e kampanjës

Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës, kryesuar Skënder Krasniqi janë takuar sot me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi me të cilin kanë diskutuar për shumë tema në fushën e arsimit.

Në takim është diskutuar për zhvillimin e kuadrove për të cilat ka nevojë biznesi, ku në këtë mënyrë të orientohet më tepër kah shkollat profesionale dhe profilet,  të cilat janë të nevojshme për tregun e punës, duke krijuar kështu mundësi që me përfundimin e këtyre shkollave të ketë numër të nevojshëm të stafit të përgatitur.

Po ashtu është biseduar edhe për mënyrën se si të sigurohen vendet e punës në përputhje me nevojat e tregut, çështja e krijimit të programeve të bashkëpunimit me bizneset me qëllim të finalizimit të praktikës përkrah anës teorike të studentëve, si dhe akreditimi i institucioneve që kanë programe trajnimi.

Anëtari i Bordit të OAK, Hysni Zogaj, vuri në pah edhe disa çështje me rëndësi që kanë të bëjnë me faktin se asnjë mësues nuk është i licencuar, kurikulat e reja të cilat nuk inkorporohen me librat e programet e vjetra që ekzistojnë, si dhe mbyllja e disa shkollave model që kanë qenë të suksesshme në Komunën e Prishtinës.

Bytyqi theksoi se shqetësimet e ngritura në takim, lidhen me programin e tij dhe tash që janë në pozitë e kanë më të lehtë qasjen ndaj ndryshimeve.

“Jemi të vetëdijshëm që bizneset e kanë problemin e kuadrove dhe duhet të paguajnë ekspertë të huaj e me kosto shumë të lartë. Prandaj për neve është e rëndësishme që të bashkëpunojmë me ju dhe të gjithë ata që janë të gatshëm të kontribuojnë, për të sjellë modele për ndryshim dhe të avancojmë zhvillimin profesional” , tha  Bytyqi.

Ministri theksoi se MASHT-i  është duke e bërë një kampanjë, në mënyrë që të bëjnë orientimin në ato profile ku kërkesat janë më të mëdha dhe këtu do të ndihmojnë shumë Odat, duke e ftuar OAK e cila është më afër biznesit, që të jetë pjesë e kësaj kampanje në mënyrë që t’i prezantojë kërkesat e saj./21Media