OAK ndërton kanale të bashkëpunimit me AKP

OAK dhe AKP u pajtuan që të ofrojnë mundësi bashkëpunimi reciprok

Tërheqja e investimeve të huaja në Kosovë duhet të bëhet përmes ofertave dhe mundësive konkrete për palët e interesuara.

Kështu u tha në takimin që përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës patën me përfaqësuesit e AKP-së, në të cilin u shqyrtuan mundësitë e bashkëpunimit dhe sigurimi i informacioneve të nevojshme në lidhje me tokat që AKP ka në dispozicion për investitorët dhe palët e interesuara.

Kryetari i OAK-ut, Skënder Krasniqi tha se gjatë takimeve që Oda e Afarizmit të Kosovës është duke mbajtur me investitorë vendorë dhe të huaj është duke parë mundësinë e tërheqjes së tyre në Kosovë dhe për të bërë një gjë të tillë nevojitet t’iu prezantohen ofertat dhe mundësitë konkrete palëve të interesuara.

Ai po ashtu tha se OAK-ut i nevojitet informatë konkrete nga AKP-ja në lidhje me sipërfaqet që kjo agjenci i ka dispozicion në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë sipërfaqet bujqësore dhe objektet.

Ndërsa, drejtori për Koordinim Rajonal pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Ibraj theksoi se problematikë kryesore janë kufizimet që janë të rregulluara me udhëzimet e brendshme kur kohëzgjatja e kontratave të qiradhënies është vetëm 6 muaj deri në 1 vit maksimumi, pasi ligji nuk e lejon ndryshe.

Ai tha se AKP ka një listë të aseteve të pa shitura ku përfshihen edhe tokat bujqësore dhe informatat e nevojshme do t’I përcjellin tek OAK.

Me këtë rast OAK do të krijojë një pikë kontakti me sektorin e AKP-së, ku të gjithë anëtarët do të mund të drejtohen me kërkesat specifike dhe do të sigurohet një përgjigje e shpejtë.

Ibraj theksoi se sipas vendimeve të bordit, AKP-ja nuk mund të negociojë direkt  me investitorë, por me kërkesën e investitorit, sipërfaqen apo objektin e caktuar, brenda një afati dymujor mund ta vendos në valën e privatizimit.

Ndryshe, gjatë këtij takimi OAK dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit u pajtuan që të ofrojnë mundësi bashkëpunimi reciprok mes të dyja palëve.

Back to top button