Metodat më të zakonshme të vetëvrasjes janë varja dhe vetëhelmimi

Metodat më të zakonshme të vetëvrasjes janë varja dhe vetëhelmimi

Afro 800,000 njerëz kryejnë vetëvrasje çdo vit në botë, bëri të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke kërkuar veprime për parandalimin e tyre.

Në raportin e publikuar të hënën, OBSH-ja tha se norma globale e vetëvrasjeve ka rënë në periudhën 2010-2016, porse numri i vdekjeve ka mbetur i njëjtë, për shkak të popullsisë globale në rritje.

“Me gjithë përparimin, një person vdes çdo 40 sekonda nga vetëvrasja”, tha përmes një deklarate drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Vetëvrasjet janë të parandalueshme. U bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të përfshijnë strategji të parandalimit të vetëvrasjeve në programet kombëtare të shëndetit dhe arsimit”, shtoi ai.

Në raportin e OBSH-së thuhet se metodat më të zakonshme të vetëvrasjes janë varja dhe vetëhelmimi.

Vetëvrasja është shkaku i dytë kryesor i vdekjes te të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, pas lëndimeve në rrugë, thuhet në raport.

Në mesin e adoleshentëve të moshës 15-19 vjeç, vetëvrasja është shkaku i dytë kryesor i vdekjes te vajzat dhe shkaku i tretë kryesor i vdekjes te djemtë, sqaron raporti.

I njëjti bën të ditur se shumica e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku jeton shumica e popullsisë globale, porse normat janë më të larta në vendet më të pasura.

OBSH-ja publikoi raportin një ditë para 10 shtatorit, kur edhe shënohet Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjeve./rel