O' Conell dhe Kosnett në konferencën për të zhdukur

O’ Conell dhe Kosnett në konferencën për të zhdukur

OJQ-ja “Qendra Burimore për Persona të Zhdukur” ka organizuar mëngjesin e sotëm konferencën e dytë vjetore në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur.

Me këtë rast u tha se duhet bërë me tepër për zbardhjen e fatit të 1653 personave të zhdukur në Kosovë, teksa u adresuan kritika ndaj institucioneve vendore e ndërkombëtare për mos seriozitet në zbardhjen e kësaj çështje.

Bashkëthemeluesi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini duke përmendur mos gjetjen edhe 20 vite pas luftës të personave të zhdukur adresoi kritika të ashpra ndaj institucioneve vendore e ndërkombëtare, teksa tha se këta të fundit nuk kanë seriozitet për zbardhjen e te zhdukurve.

“Nuk po merren seriozisht zbardhja e personave të zhdukur. Nuk ka seriozitet ende as nga ndërkombëtarët as nga vendorët për zbardhjen e personave të vdekur. Por, ndërkombëtarët na kanë më shumë borxh se kanë imazhe satelitore”, tha ai.

Bashkëthemeluesi tjetër i QBPZH-së Morad Trifunoviq, gjithashtu pati kritika për mos interesimin e politikës për zbardhjen e kësaj çështje, por tha se ata asnjëherë nuk do të ndalen deri të gjejnë personin e fundit të zhdukur.

“Ne kurrë nuk do të ndalim deri të gjejmë personin e fundit, interesimi i politikanëve është i vogël, pasi nuk kanë interes për të zgjidhur problemin e personave të zhdukur”, tha ai

Pjesë e kësaj konference ishin edhe dy ambasadorët e shteteve mike të Kosovës, ambasadori i ShBA-së, Philip Kosnett dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell.
Të dy theksuan se duhet të bëhet më tepër për zbardhjen e personave të zhdukur.

Ambasadori O’Connell tha se duhet të bëhet me tepër që zbardhet çështja e personave të zhdukur, teksa iu bëri thirrje politikanëve që mos të keqpërdorin këtë çështje për arsye politike në fushatën zgjedhore, sepse sipas tij njerëzit janë lodhur nga kjo.

“Duhet të bëjmë çmos që të zbardhet çështja e personave të zhdukur. Është shumë e rëndësishme që ne që kemi fuqi në këtë fushë të bëjmë çmos për zbardhjen e personave të zhdukur. Qeveritë në Ballkan kanë dhënë zotimin se kjo çështje mos të keqpërdorët për arsye politike. Është më së lehti që në fushatën zgjedhore të prezantohesh si patriot i madh, mendoj që njerëzit janë lodhur nga kjo”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori amerikan Philip Kosnett duke përmendur procesin zgjedhor në Kosovë edhe në Serbi, u kërkoi Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë përparimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përparimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Unë inkurajoj politikën më dy vendet ku janë më prag të zgjedhjeve të iu tregojnë qytetarëve se çka duhet bërë për persona të zhdukur.’, tha ai.

Ndërkaq, përfaqësuesja e ambasadës së Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex Gacaferri iu bëri thirrje autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë që të bëjnë përpjekje më të mëdha për zbardhjen e personave të zhdukur.