Hoxha: po, O'Connell: JO

Hoxha: po, O’Connell: JO

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha sot priti në takim ambasadorin në largim të Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritashëm duke e vlerësuar lartë dhe shumë të dobishëm.

Ajo tha se në këtë takim kanë biseduar rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

“Ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Megjithatë, ambasadori britanik, Ruairi O’Connell i ka reaguar ministres Hoxha, duke e mohuar se kanë biseduar për MSA-në.

Thotë se e vetmja gjë që s’do t’i mungojë në Kosovë, është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës që flasin në emër të tij.

“E vetmja gjë që nuk do të më mungojë në Kosovë është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës që flasin prej pozicionit tim. Takova sot Ministren e Integrimeve Evropiane, e cila është një mike e vjetër. Pas takimit, Ministria e saj lëshoi një deklaratë për media duke dhënë qëndrimet e mia. Kjo s’u dakordua me Ambasadën time. Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam atë. Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Ne diskutuam për rregullin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova ishte në një pikë të rëndësishme, dhe se duhej të ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti.
Unë nuk ofrova asnjë vlerësim për punën e institucioneve”, ka shkruar O’Connell në llogarinë e tij “Facebook”.

O’Connell në shtator përfundon mandatin në Kosovë. Ai do të transferohet në një tjetër emërim të Shërbimit Diplomatik. Ruairi O’Connell mbante pozitën e ambasadorit në Kosovë që nga viti 2014./21Media