Ai tha se Britanisë i intereson një Kosovë e fortë dhe e begatë

Ai tha se Britanisë i intereson një Kosovë e fortë dhe e begatë

​Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell iu është drejtuar qytetarëve të Kosovës në ditën e tij të fundit si përfaqësuesi më i lartë i Britanisë së Madhe në vendin tonë.

Ai e nis me fjalët se shërbimi në Kosovë ka qenë nderi më i madh që ka pasur në karrierën e tij. O’Connell tha se do t’i mungojnë shumë gjëra nga Kosova.

“Familjes time dhe mua, do të na mungojnë shumë gjëra nga Kosova. Do të më mungojnë shëtitjet nëpër Prishtinë. Do të na mungojnë malet e bukura të Kosovës, megjithëse ishte Elida, jo unë, që vrapoj përmes tyre. Do të më mungojnë ndeshjet e futbollit tek Fadil Vokrri, ndeshjet e ragbisë në Sllatinë dhe Vitomiricë, Dokufesti në Prizren, Sunny Hill Festivali, Baleti Kombëtar i Kosovës, auditoriumi në Bibliotekën Kombëtare, qetësia e Manastirit të Deçanit. Do të më mungojnë sarmat e vjehrrës sime, drekat nga Tartine, lojërat e ragbit që i shohim në Beergarden dhe Tapas, picat e Ponte Vecchio-s, tavë Elbasani nga Tiffany, sanduiçet e pulës nga A&A, dhe gjithçka nga Renaissance”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ambasadori britanik tha se vendit të tij i intereson një Kosovë e fortë, e begatë, e sigurt dhe që kujdeset për problemet e veta, si dhe që i lufton ato. “Sa më e fortë të jetë Kosova, aq më e sigurt është Britania”, shkruan ai.

O’Connell tha se çdo vend duhet të zgjidhë vet çështjet e saj të brendshme dhe të mos presë nga ndërkombëtarët. Ai shtoi se ndërkombëtarët do të ndihmojnë Kosovën, siç kanë bërë në të kaluarën, por Kosova duhet të marrë përgjegjësi për të ardhmen e vet.

Duke u ndalur të zgjedhjet, ai tha se ato janë një mundësi reale për Kosovën. O’Connell tha se i kupton presionet për një vend pune, por duhet të votohet për atë që kanë vizionin më të mirë për vendin.

“Nuk do t’ju them si të votoni; nuk jam unë ai që do të jetojë me pasojat, por ju vetë. Unë dua që ju ta ndieni se ju, dhe vetëm ju, e keni fuqinë për ta bërë Kosovën ashtu siç e dëshironi. Por, duhet të zgjidhni ta përdorni atë fuqi”, tha ai.

O’Connell do të transferohet në një tjetër emërim të Shërbimit Diplomatik. Ruairi O’Connell mbante pozitën e ambasadorit në Kosovë që nga viti 2014./21Media