Ambasadori britanik thotë se interesi i Britanisë ka qenë që Kosova të jetë më e suksesshme

Ambasadori britanik thotë se interesi i Britanisë ka qenë që Kosova të jetë më e suksesshme

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairí O’Connell, duke folur për fenomenin e konfliktit të interesit dhe nepotizmin në Kosovë, ka deklaruar se 20 vjet pas luftës ka ardhur koha për të reflektuar se ku është dhe nga do të shkojë Kosova. O’Connell ka deklaruar se në Kosovë ka nepotizëm dhe përzgjedhje të zyrtarëve të pa kualifikuar në pozita kyçe.

Ai ka deklaruar se ka pasur mbështetje të madhe për Kosovën nga Britania e Madhe dhe interesi ka qenë që Kosova të jetë më e suksesshme.

Mirëpo, sipas tij, ka ardhur një moment që pas një 20 viteve pas çlirimit të merren masa, por kjo ka me ndodhë vetëm nëse ka vullnet politik dhe e kërkojnë qytetarët në mënyra demokratike.

“Ne nuk kemi të drejtë vote këtu, ne jemi miq, por ka ardhur koha që të ndalohet konflikti i interesit dhe nepotizimi, sepse s’ka durim më. Nuk dua të jem krejt pesimist, sepse ka mundësi të merren vendime të drejta dhe ndryshimet janë të mundshme. Po ashtu presioni i qytetarëve mund të shtyj udhëheqësit politik që të marrin vendime të drejta”, ka thënë O’Conell.

Po ashtu, ambasadori britanik ka folur edhe për ligjin për financimin e partive politike dhe ka pasur një porosi.

“Nëse partitë do të tentojnë për ndërhyrje në projekt ligjin për financimin e partive politike, Britania e Madhe nuk do ta përkrah më KQZ-në në asnjë mënyrë. Pra, ka me ardh dita që ne do të ndërmarrim vendimë shumë të rëndësishme”, ka deklaruar ai.