Oda Amerikane shfaq mosbesim për zonën ekonomike në Gjakovë

”Kemi pak informata për zonën e veçantë ekonomike amerikane dhe këtu kemi shprehur shqetësimin dhe vërejtjen tonë për Qeverinë”

Për vendimin e Qeverisë së Kosovës për zonën e veçantë ekonomike amerikane në Gjakovë, Oda Ekonomike Amerikane ngrit shqetësimin dhe vërejtjet e saj për mos përfshirjen e komunitetit të biznesit në dialog, mbase mungojnë informatat e detajuara lidhur me atë se çfarë do të ofrohet brenda kësaj zone.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka në një intervistë për Kp po ashtu është shprehur skeptik në realizimin e këtij vendimi nga ana e Qeverisë.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë të promovojnë investimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe risitë që ndodhin në ofertën për tërheqjen e investimeve.

“Kemi pak informata për zonën e veçantë ekonomike amerikane dhe këtu kemi shprehur shqetësimin dhe vërejtjen tonë për Qeverinë, pse nuk ka përfshirë palët e interesit përfshirë këtu asociacionet e biznesit në dialog, ashtu që pastaj edhe vendimi të jetë më i mirë dhe më i zbatueshëm. Nëse analizojmë situatën në të kaluarën me vendimet e Qeverisë që nga viti 2013 e tutje për krijimin e zonave të lira ekonomike, shohim vijueshmërinë ose hapat e mëtejmë, ku kemi shumë hapësirë për skepticizëm. Në të kaluarën asnjë prej këtyre zonave të lira ekonomike, njëra prej tyre që është shpallur tërë komuna e Gjakovës si një zonë e lirë ekonomike, që kjo është me një ligj ekzistues, e aprovuar nga Kuvendi në vitin 2013, ky vendim nuk është jetësuar asnjë herë. Kështu që ka hapësirë të madhe që të jemi skeptik dhe ndoshta dikush sërish do të ketë pritje më të ulëta, se edhe ky vendim kësaj radhe mu nd të aplikohet”, ka thënë Zeka.

Për mos tingëlluar shumë negativ dhe shumë pesimist, kreu i kësaj ode, e cila mbron interesat e bizneseve, veçanërisht atyre me kapital amerikan, ka thënë se dëshiron të besojë që grupi punues ka bërë punën si duhet dhe ka analizuar mirë terrenin e zonës.

Ndonëse për këtë vendim qeveritar ka pasur edhe mjaft kritika, ngase është konsideruar si vendim politik i kryeministrit për caktimin e zonës në Gjakovë, për çka Zeka ka bërë të ditur se nuk iu është dhënë mundësia si odë që ta japin një mendim se në cilin rajon apo komunë duhet të bëhet vendosja e bizneseve amerikane. Zeka ka thënë se Gjakova i plotëson kushtet deri diku për një zonë të veçantë, sepse ka aeroportin, i cili duhet të bëhet funksional.

Ai ka thënë se është rritur interesimi i investitorëve amerikanë për të investuar në Kosovë.

Zeka ka shtuar se në bazë të raportit të BQK-së, rezulton që viti i kaluar ka shënuar një rritje në aspektin e investimeve të huaja direkt, rritje kjo e cila nuk është e kënaqshme dhe Kosova sërish mbetet mbrapa vendeve të tjera të rajonit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Ndërsa, për iniciativën e Kuvendit të Kosovës për importimin e automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet, Arian Zeka ka thënë se kjo nismë është shqetësuese dhe paradoksale.

“E kemi marrë me shqetësim nismën e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik që të ndryshohet ligji për automjete respektivisht dispozita e cila heqë ndalimin e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet. Oda Amerikane ka qenë ndër organizatat e para që ka dal me një qëndrim publik kundër jetësimit të një nisme të tillë nga ana e Kuvendit. Është pak paradoksale, është e pa kuptimtë që brenda një viti, ta kujtojmë janarin e këtij viti dhe dhjetorin e vitit të kaluar, ku kemi pasur norma të larta të ndotjes së ambientit, ku pastaj detyrohemi të marrim vendime ad-hok për ndalimin e qarkullimit të veturave nga komunat e tjera në qytetin e Prishtinës dhe ndalimin e qarkullimit të veturave në përgjithësi brenda qytetit të Prishtinës, ndërsa në të njëjtën kohë deputet e këtij kuvendi si institucioni më i lartë të marrë nismë për ndryshimin e ligjit për automjetet dhe të heqë kufimin për automjetet më të v jetra se dhjetë vite. Diçka këtu nuk funksionon”, ka thënë Zeka.

Ka iniciativa të ndryshme, sipas tij, anë e mbanë botës dhe në kontinentin e Evropës, ku edhe Kosova synon që të integrohet një ditë, madje që të ndalohet qarkullimi i plotë i veturave, të cilat përdorin naftë për shkak të ndotjeve të mëdha që këto llojë automjetesh shkaktojnë e mos të flitet për veturat më të vjetra se 10 vjet.

“Besojmë se periudha dhjetë vjeçare e vjetërsisë së këtyre veturave është e mjaftueshme që për një pjesë të popullsisë që nuk ka standard të lartë të jetesës sërish mund të blej një makinë të tillë dhe t’i kryej procedurat e zhdoganimit dhe të regjistrimit në vendin tonë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për momentin vjetërsia mesatare e veturave në Kosovë është rreth 19 vite që do të thotë se një pjesë e madhe e veturave që ndodhen në qarkullim janë të dëmshme, qoftë në aspektin e ndotjes, qoftë në aspektin e sigurisë në komunikacion.

Back to top button