Oda Ekonomike e Kosovës me kryetar të ri

Berat Rukiqi ishte kandidati i vetëm për këtë post

Pas një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent zgjedhor, në të cilin morën pjesë mbi 1 mijë e 800 anëtarë të Odës Ekonomike, në bazë të parimit një anëtar një votë, nga të gjitha shoqatat sektoriale si dhe nga njësitë rajonale të Odës, sot u zgjodhën strukturat drejtuese, përkatësisht organet e Odës Ekonomike të Kosovës.

Procesi zgjedhor u kurorëzua me zgjedhjen e kryetarit të ri të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi i cili njëherësh ishte kandidati i vetëm për këtë post.

Rukiqi ka një përvojë të gjatë në sektorin publik dhe privat, duke qenë i angazhuar për një vit në Zyrën e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, 11 vite në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës, 10 vite si staf i rregullt në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”, 4 vite kryesues i Bordit të Drejtoreve të KEK-ut, anëtarë i bordit të “Millennium Foundation Kosovo”, si dhe është bashkëthemelues dhe bashkëpronar në kompaninë “Trosha”.

Përveç kryetarit, kuvendi i ri i Odës ka 71 anëtarë i cili zgjodhi edhe Këshillin e Ri Drejtues me përbërje nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Po ashtu zgjodhi Këshillin Mbikëqyrës dhe Sekretarin e Përgjithshëm Parim Bajrami. Të gjitha strukturat drejtuese të Odës Ekonomike të Kosovës janë zgjedhur për mandat 4 vjeçar.

Back to top button