OEAK thotë se projektligji mbi pagat rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore

OEAK i kërkon Qeverisë së Kosovës të tregohet e kujdesshme

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës, ka shprehur shqetësimet e saja mbi Projektligjin për Paga, duke vlerësuar se i njëjti rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore si dhe rrit edhe më shumë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

“Aprovimi i Projektligjit për Paga në formën aktuale, do të kishte implikime të konsiderueshme dhe do rriste deficitin buxhetor në vend. Rritja e pjesëmarrjes së pagave në buxhetin e vendit do të ndodhte në kurriz të rënies së investimeve kapitale që janë të një rëndësie shumë të madhe në aspekt të fuqizimit së sektorit privat dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik. Për më tepër, rritja e deficitit padyshim se do të çonte në rritjen e barrës tatimore për bizneset ekzistuese në vend, duke marrë parasysh nevojën për mbledhjen e më shumë të hyrave”, thuhet në komunikatën e OEAK-së.

Krahas ndikimit buxhetor, Projektligji mbi Paga do të ndikonte negativisht edhe mbi tregun e punës në vend. Sektori privat nuk mund të ndjekë ritmin e institucioneve në rritjen e pagave, meqë pagat në këtë sektor përcaktohen nga forcat e tregut dhe produktiviteti i fuqisë punëtore. Rritja e hendekut të pagesave do të nxiste edhe më shumë fuqinë punëtore që të konsiderojnë sektorin publik si punëdhënësin e preferuar.

Oda Ekonomike Amerikane i kërkon Qeverisë së Kosovës të tregohet e kujdesshme me nivelet e propozuara të pagave në Projektligjin mbi Pagat, gjithnjë duke u bazuar edhe në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, thuhet ndër të tjera në kumtesë./21Media

Back to top button