OEK: Aksionet e organeve të rendit po dëmtojnë gastronominë e hoteleritë

“Rregullimi i këtij sektori dhe sektorëve të tjerë, kërkon dialog publiko-privat”

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ndaj disa aksioneve të organeve të rendit, të cilët kohëve të fundit po kryejnë bastisje nëpër kafiteri, restaurante e hoteleri.

OEK thotë se aksionet e tilla pa paralajmërim janë të pashembullta dhe të pabazuara, dhe nuk janë rruga e duhur për vendosje të rendit dhe qetësisë. Ndërsa thekson se po dëmtojnë sektorët e biznesit të gastronomisë e hotelerisë.

“Ky lloj i fushatave, të cilat ndërmerren me procedura dhe direktiva ad-hoc, përveç dëmeve në sektorin e biznesit të gastronomsië dhe hotelerisë, e përçojnë mesazhin e mungesës së sigurisë juridike, për të bërë biznes dhe investime në Kosovë. Rregullimi i këtij sektori dhe sektorëve të tjerë, kërkon dialog publiko-privat, si dhe proces të ndryshimeve ligjore, konform rrethanave të reja qe mund të krijohen në shoqëri dhe treg, gjithnjë duke balancuar interesat publike dhe private. Qasja arbitrare dhe e njëanshme, na sjell në situata që rrisin informalitetin në treg dhe mundësinë për rritje të keqpërdorimeve nga zyrtarët publik”, thuhet në reagimin e OEK dërguar mediave.

“Sektori i gastronomisë dhe hotelerisë, si nje ndër sektorët me rritjen më të shpejtë, me numër të madh të vetëpunësimeve dhe të vendeve të punës për të rinj, ka rendësi të veçantë ekonomike për vendin, edhe për faktin e ndikimit te jashtëzakonshëm në promovimin e imazhit të vendit. Institucionet qeverisëse, nuk kanë arritur që ta përcjellin këtë trend të rritjes, me ndryshime ligjore të nevojshme, të cilat mundësojnë përkrahjen e mëtutjeshme për zhvillim të këtij sektori”, thekson tutje OEK.

Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se së bashku me anëtarësinë nga ky sektor, të organizuar përmes Shoqatës së Gastronomeve, do të koordinojnë përpjekjet për mbrojtje të sektorit nga arbitrariteti i organeve shtetërore dhe për të siguruar rregullim ligjor, për këtë sektor, konform rrethanave të reja, rëndësisë ekonomike që ka ky sektor dhe interesave të qytetarëve.

Edhe Pronarët e lokaleve më të rëndësishme në Prishtinë,  kanë realizuar një qëndrim kundër bastisjeve dhe gjobave që po iu bën dhe vendosë atyre inspektoriati i Komunës së Prishtinës. Sipas tyre, Kosova po bëhet vendi më i keq për të bërë biznes. /21Media 

Back to top button